Parlamenti dje publikoi një shpallje publike të nënshkruar nga kryetari Afrim Gashi, me të cilën kërkohet projektues për përforcimin e 6 dyerve masive hyrëse të Parlamentit, përkatësisht për furnizimin me dyer të reja, të mbrojtura nga turmat dhe plumbat. Projekti përfshin edhe ndërtimin e një dere të re të madhe të garazhit nën Parlament, shkruan SDK, transmeton Portalb.mk.
Sipas Programit Projektues për përpunimin e dyerve të sigurisë së Parlamentit, me nënshkrim të Gashit, i cili është bashkëngjitur në dokumentacionin e tenderit, “klasa e dyerve që kërkohet ka të bëjë me rezistencën ndaj plumbave, mbrojtjen nga predhat e armëve të zjarrit, si dhe ndaj tentativave për sulm fizik nga turmat”.
Në Program thuhet se kjo e konfirmon nevojën për përdorimin e “materialeve shumë-shtresore, si xhami i laminuar dhe vetitë e polikarbonatit të materialeve, duke përfshirë edhe përdorimin e mekanizmave të specializuar për kornizat dhe sistemet e mbylljes”.
Më tej kërkohet që dyert e reja dykrahëshe të testohen ndaj presionit të turmave dhe ndaj predhave nga armët e zjarrit.
“Kjo do të thotë se niveli i mbrojtjes përcaktohet sipas standardeve të njohura të BE-së, të cilat simulojnë dy llojet e sulmeve, me qëllim sigurimin e sigurisë së objektit. Bëhet fjalë për 6 dyer të dyfishta me përmasa 166/293/193 cm dhe një derë garazhi me përmasa 355/485 cm, e cila duhet të ketë një trajtim të ndryshëm në aspektin e zgjidhjes funksionale nga dyert e tjera hyrëse”. Më tej janë përcaktuar edhe vetitë e nevojshme të materialeve.
Në shpallje thuhet se është e domosdoshme që dyert hyrëse të dyfishta të përmbushin edhe standardet estetike të objektit, duke vendosur konstruksionin e sigurisë në një mbështjellës druri “sanduiç” nga ana e jashtme dhe e brendshme, i cili do të përpunohet sipas fotografimit të dizajnit ekzistues dhe modelit të ornamentit.
“Projekti për konstruksionet ndërtimore është i nevojshëm për të siguruar përforcime prej betoni të armuar rreth kornizave të dyerve. Projekti i elektroteknikës duhet të sigurojë instalimin për vendosjen e automatizimit të nevojshëm, kontrollin dhe regjimin e përdorimit të dyerve”, në mënyrë që jo çdokush të mund t’i hapë dhe mbyllë ato.





