16.1 C
Skopje
Tuesday, May 13, 2025

Kuvend/ Fillon debati për ligjin për vetëqeverisje lokale – Ndryshimet parashikojnë që qytetarët të kenë mundësinë që të shkarkojnë kryetarin e komunës

Në Kuvend ka filluar debati për ndryshimet e Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, ku për dallim nga e kaluara, qytetarët tani do të mund të ngrenë nismë për shkarkimin e kryetarit të komunës, shkruan Alsat.

Kjo do të mund të bëhet përmes një referendumi, të iniciuar nga së paku 20% e qytetarëve, respektivisht banorëve të komunës varësisht për cilin kryetar bëhet fjalë.

“Edhe pse ata zgjidhen drejtpërdrejtë nga qytetarët, ligji aktual nuk parasheh mundësi për ngritjen e procedurës për besimin e tyre apo tërheqje para se të përfundojë mandati i tyre. Me propozim ndryshimet propozohet vendosja e një mekanizmi të drejtë dhe demokratik që përmes një referendumi, qytetarët të mund të vendosin për besimin e kryetarit të komunës”, tha Zlatko Perinski – Ministër i Vetëqeverisjes Lokale.

Deputeti Bekim Qoku, përmendi kryetarin e komunës së Strugës, për të cilin thotë se edhe pse për të janë ngritur disa kallëzime penale, qyteti i Strugës është mbushur me objekte pa leje, Ramis Merkos sipas Qokut, sillet si monark.

“Theksoj 80% e një zone urbane janë pa leje, ai është tallur me drejtësinë, është tallur me qytetarët, është akuzuar për ndërhyrje në drejtësi dhe përsëri nuk ka mekanizëm që mund ta shkarkojë atë njeri. Ky lloj pushteti absolut që gëzon një kryetar komune, deri aty mund të shkojë që të tallet me ata që e kanë votuar, sepse i sigurt që nuk do i nënshtrohet asnjëlloj llogaridhënieje”, u shpreh Bekim Qoku – VLEN.

Me ndryshimet ligjore gjithashtu, komunat do të obligohen që informacionet për punën e seancave dhe këshillit komunal, të publikohen në uebfaqet e tyre ose në kanalet e tjera të informimit.

Gjithashtu, me ndryshimet ligjore, komunat do të obligohen të formojnë njësi organizative për rend komunal dhe mbikëqyrje inspektuese. Kjo do të thotë se çdo komunë, duhet të ketë persona të cilët do të kujdesen për mirëmbajtjen higjienike të ambientit, apo siç në shoqëri njihet “polic komunal”.

Komunat gjithashtu do të duhet të emërojnë edhe arkitekt kryesor i cili do të ketë për detyrë të kujdeset për përmirësimin e kushteve për planifikim urbanistik. Deri në leximin e dytë të këtij propozim ligji, deputetët do të kenë mundësi që të dorëzojnë amendamente, por në seancën e sotme, deputetët e opozitës nuk morën pjesë fare në debat./ Alsat.mk

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit