Kushte të papërshtatshme në disa burgje, sfida në sigurimin e kujdesit shëndetësor në kohë dhe të qasshëm, mungesë e personelit në institucione, si dhe mungesë e trajnimeve të specializuara për një pjesë të stafit – këto janë konstatimet në raportin e Mekanizmit Kombëtar Parandalues për vitin 2025, të cilin e prezantoi zëvendësavokatja e popullit, Sonja Trifunovska.
Në raport shtohet se edhe në stacionet policore vazhdon të evidentohet numër i pamjaftueshëm i policëve me uniformë, mungesë e kushteve të përshtatshme të punës dhe mungesë e hapësirave të veçanta për biseda me fëmijë. Ky është raporti i 15-të, por përkundër rekomandimeve të dhëna institucioneve, në raport konstatohet se një pjesë e tyre janë zbatuar, ndërsa shumica nuk janë zbatuar. Gjithashtu theksohet se gjendja, nga viti në vit, mbetet e njëjtë dhe nuk ndryshon për mirë.
Zëvendësavokatja Trifunovska informoi se vizita në INK Burgu i Kumanovës kishte për qëllim vlerësimin e trajtimit të personave të privuar nga liria, me fokus të veçantë te personat ndaj të cilëve është caktuar masa e paraburgimit, si dhe vlerësimin e gjendjes së tyre të shëndetit mendor dhe mirëqenies psikologjike.
“Nga bisedat me të punësuarit u siguruan informacione se një numër i konsiderueshëm i personave në paraburgim, përkatësisht rreth njëzet persona, janë dërguar për vuajtjen e masës së paraburgimit me vendim të Gjykatës Themelore Penale Shkup. Kjo praktikë devijon nga sistemi i paraparë për shpërndarjen e personave në paraburgim, sipas të cilit në seksionin e paraburgimit të Burgut të Kumanovës nuk duhet të dërgohen persona ndaj të cilëve masa e paraburgimit është caktuar nga kjo gjykatë”, theksoi Trifunovska.





