“Kush kë mbronte dhe pse nuk u veprua me kohë?”, pyetën prindërit dhe familjarët e viktimave nga zjarri në diskotekën “Pulse” në Koçan, duke marshuar nëpër rrugët e Shtipit.
Dje për herë të 41-të u organizua “Marshi i Engjëjve”, por ndryshe nga zakonisht në Koçan, këtë herë marshuan në Shtip, qyteti prej nga vijnë disa nga viktimat.
Edhe në këtë marsh, prindërit dhe të afërmit mbanin pankarta me mesazhe për drejtësi, si dhe fotografi të viktimave.
Marshi nëpër rrugët e Shtipit nisi nga sheshi “Liria”, prej nga pjesëmarrësit kaluan edhe pranë ndërtesave të Gjykatës Themelore dhe asaj të Apelit, si dhe para Prokurorisë së Shtipit.
Zjarri në diskotekën “Pulse” në Koçan ndodhi natën mes 15 dhe 16 marsit 2025. Si pasojë, jetën e humbën 63 persona, ndërsa mbi 200 të tjerë u plagosën.
Hetimi konstatoi një sërë dështimesh sistemike lidhur me funksionimin e paligjshëm të diskotekës. Në procesin më të madh gjyqësor të nisur për këtë tragjedi, janë të akuzuar 35 persona dhe tri kompani. Gjykimi nisi më 19 nëntor 2025 dhe aktualisht është në fazën e dëgjimit të dëshmitarëve.
Mes të akuzuarve janë pronarët e diskotekës, por edhe ish-ministra të ekonomisë, ish-kryetarë të komunës së Koçanit, inspektorë dhe zyrtarë të tjerë. Të gjithë do të gjykohen për të njëjtën vepër penale “shkaktim i veprave të rënda kundër sigurisë së përgjithshme”.
Përveç këtij rasti, janë hapur edhe çështje gjyqësore për mosveprim të policëve, si dhe një hetim që përfshin edhe persona nga Drejtoria e të Ardhurave Publike. (Portalb)



