Gjashtë kompani të mëdha me seli në Shkup përbëjnë shtyllën e subjekteve juridike nga Maqedonia e Veriut që ndodhen nën sanksione të rrepta ekonomike nga Zyra për Kontrollin e Pasurive të Huaja (OFAC) e Departamentit amerikan të Thesarit, përcjell INA.
Pjesa më e madhe e këtyre bizneseve janë sanksionuar për shkak të lidhjeve të tyre të drejtpërdrejta me rrjetet e biznesmenëve të fuqishëm vendas, si Jordan Kamçev dhe partnerët e tij, ndërsa një pjesë operon në sektorin e teknologjisë së spiunazhit kibernetik.
1. SISTINA LAJF KEAR SENTAR SKOPJE DOOEL
Lokacioni: Shkup
Programi: BALKANS-EO14033
Veprimtaria: Kompania është e regjistruar për mbrojtje shëndetësore dhe sociale, si dhe për kujdesin ndaj të moshuarve dhe personave të pafuqishëm në objekte banimi. Megjithatë, sipas gjetjeve të organeve gjyqësore të Maqedonisë së Veriut dhe hetimeve të Ministrisë së Financave të SHBA-së, roli real i kësaj kompanie ka qenë ndërmjetësim financiar, transfer dhe pastrim parash për individë të sanksionuar të lidhur me korrupsion në Ballkanin Perëndimor.
Sanksionet ndaj kompanisë u vendosën për shkak të lidhjes me biznesmenin Jordan Kamçev, i cili më parë ishte sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara.
Data e sanksionimit: 16 nëntor 2023.
2. BET CITY INTERNATIONAL D.O.O. SKOPJE
Lokacioni: Shkup
Programi: BALKANS-E014033
Veprimtaria: Bastore sportive.
Kompania është e lidhur me biznesmenin Sergej Samsonenko, i cili ka shtetësi të dyfishtë të Maqedonisë së Veriut dhe Rusisë, si dhe me Jordan Kamçevin. Të dy janë përfshirë më herët në listën e sanksioneve të OFAC-it.
Data e sanksionimit: 16 nëntor 2023.
3. ORKA HOLDING AD
Lokacioni: Shkup
Programi: BALKANS-EO14033
Veprimtaria: Orka Holding AD është një konglomerat i madh biznesi (kompani holding) që menaxhon një portofol të gjerë ndërmarrjesh dhe investon në sektorë të ndryshëm ekonomikë në Maqedoninë e Veriut dhe në rajonin e Ballkanit.
Orka Holding AD është themeluar në vitin 1990, fillimisht në industrinë tekstile, por me kalimin e kohës u shndërrua në një shoqëri mëmë që ofron shërbime konsulence, juridike dhe financiare.
Kompania është identifikuar si një konglomerat i lidhur me biznesmenin maqedonas Jordan Kamçev, të cilin OFAC e kishte sanksionuar më parë për korrupsion dhe pastrim parash në Ballkanin Perëndimor.
Data e sanksionimit: 16 nëntor 2023.
4. CYTROX AD
Lokacioni: Shkup
Programi: CYBER2
Veprimtaria: Kompani teknologjike.
E njohur globalisht si zhvilluesja e softuerit komercial famëkeq për spiunazh (spyware) me emrin Predator. Kompania operon brenda një rrjeti më të gjerë të quajtur Intellexa Consortium, i themeluar nga ish-oficeri ushtarak izraelit Tal Dilian.
Sanksionet e OFAC-it zbatohen gjithashtu ndaj Cytrox Holdings ZRT (Hungari), si dhe ndaj anëtarëve të tjerë të konsorciumit Intellexa Consortium.
Data e sanksionimit: 5 mars 2024.
5. KAMCHEV KONSALTING SKOPJE DOOEL
Lokacioni: Shkup
Programi: BALKANS-EO14033
Veprimtaria: Kompani konsulence.
Sipas deklaratave të OFAC-it, kompania është sanksionuar për shkak të lidhjeve me rrjetin e Jordan Kamçevit, i cili akuzohet për aktivitete korruptive dhe destabilizuese në rajon.
Data e sanksionimit: 16 nëntor 2023.
6. ORKA FAJNANS SKOPJE DOOEL
Lokacioni: Shkup
Programi: BALKAN-EO14033
Veprimtaria: Është e regjistruar si kompani për konsulencë dhe shërbime biznesi.
OFAC e cilëson kompaninë si një entitet të lidhur me rrjete korruptive në Ballkanin Perëndimor. Ajo lidhet me Ratko Kunoski Kamçev dhe me Orka grupin, i cili nga ana e tij lidhet me Jordan Kamçevin.
Data e sanksionimit: 16 nëntor 2023.
Krahas këtyre gjashtë bizneseve, Uashingtoni ka vendosur në listën e zezë edhe individë të shumtë nga Maqedonia e Veriut, duke e çuar numrin e përgjithshëm të të sanksionuarve në vend në 12 subjekte dhe persona. Ky zgjerim vjen në kuadër të intensifikimit të masave amerikane në të gjithë Ballkanin Perëndimor, ku deri në fillim të qershorit 2026 numërohen gjithsej 131 të sanksionuar (71 subjekte juridike dhe 60 individë). Më 22 qershor 2026, SHBA-ja zgjati zyrtarisht edhe për një vit “masat e gjendjes së jashtëzakonshme” për rajonin, duke konfirmuar vendosmërinë për të goditur korrupsionin dhe rrjetet që financojnë destabilizimin.
Çfarë masash aplikohen?
Sanksionet e targetuara ekonomike nënkuptojnë bllokimin e plotë të llogarive dhe ngrirjen e pasurisë që këto biznese apo individë zotërojnë në SHBA, ndalimin e transaksioneve me qytetarë dhe kompani amerikane, si dhe kufizime të rrepta të udhëtimit. Qëllimi është izolimi i tyre total për t’u prerë qasjen në burimet financiare.
Maqedonia e Veriut (me 12 të sanksionuar) mbetet pjesë e një harte më të gjerë të sanksioneve në Ballkanin Perëndimor, ku prin Serbia me 49 raste, e pasuar nga Kosova (29), Bosnje e Hercegovina (26), Shqipëria (8) dhe Mali i Zi (7).
Si filloi aplikimi i sanksioneve përmes Listës së Zezë
2001–2004: Sanksionet e para u vendosën për shkak të krimeve të luftës dhe cenimit të paqes pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë.
Një dekadë më vonë: Fokusimi u zhvendos drejt korrupsionit institucional, pastrimit të parave dhe krimit të organizuar.
Nga viti 2022 e këtej: Në listën e zezë po përfshihen gjithnjë e më shumë biznesmenë, politikanë dhe kompani që mbajnë lidhje të ngushta me Rusinë, duke ndihmuar në shtrirjen e ndikimit të Moskës në rajon në kohën kur ajo ndodhet e izoluar për shkak të pushtimit të Ukrainës.
(INA)





