Kurti: Dyshimet e para janë se mbetjet mortore në Zubin Potok mund t’u përkasin 23 intelektualëve të zhdukur në vitin 1999

Advertisement

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se dyshimi fillestar i institucioneve është se mbetjet mortore të zbuluara në fshatin Kalludër të Zubin Potokut mund t’i përkasin grupit prej 23 intelektualësh nga Mitrovica, të rrëmbyer dhe të zhdukur me dhunë më 19 prill 1999.

Ai theksoi se në këtë fazë nuk mund të konfirmohet identiteti i mbetjeve, pasi procesi i identifikimit është ende në zhvillim dhe rezultatet priten nga institucionet përgjegjëse. Sipas Kurtit, vendi ku janë gjetur mbetjet dyshohet të jetë një varrezë masive në një zonë që deri më tani nuk ishte përfshirë në gërmime.

Kurti bëri të ditur se në terren po punojnë ekipet e Policisë së Kosovës dhe Institutit të Mjekësisë Ligjore, me mbështetjen e misionit të EULEX-it, për të kryer procedurat e nevojshme hetimore dhe identifikuese.

Ai nënvizoi se çështja e personave të zhdukur mbetet ende e hapur për shumë familje, duke theksuar se çdo gërmim përfaqëson një shpresë për zbardhjen e fatit të të afërmve të tyre dhe një hap drejt drejtësisë.

Në të njëjtën kohë, Kurti kritikoi Serbinë për, sipas tij, moszbatimin e Deklaratës së Brukselit për personat e zhdukur, të dakorduar më 2 maj 2023, si dhe për moshapjen e arkivave ushtarake. Ai u bëri thirrje faktorëve ndërkombëtarë të rrisin presionin ndaj Beogradit për të mundësuar qasjen në dokumentacionin që mund të ndihmojë në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit