3.8 C
Skopje
Saturday, December 14, 2024

Kurti do të raportojë në Kuvend rreth propozimit për Asociacionin

Me kërkesë të partive opozitare, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më 3 nëntor do të raportojë para Kuvendit të Kosovës për dialogun me Serbinë, veçmas për draft-statutin e propozuar për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit, shefat e Grupeve Parlamentare të subjekteve opozitare, Partisë Demokratike të Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës thanë se Kurti e ka obligim ligjor të raportojë pas takimeve që ka zhvilluar në Bruksel më 26 tetor me krerët e Francës, Gjermanisë, Italisë dhe përfaqësuesit e Bashkimit Evropian.

Pas takimeve të ndara të Kurtit dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, me liderët evropianë, kryeministri kosovar tha se ka pranuar propozimin për Asociacionin dhe ka qenë i gatshëm të nënshkruajë marrëveshje për normalizim të raporteve, por kjo është kundërshtuar nga lideri serb.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, tha se gjatë raportimit, Kurti duhet të njoftojë se për çfarë saktësisht është pajtuar dhe si do të dukej një Asociacion në bazë të propozimit evropian.

“Është shumë e rëndësishme që ta kuptojnë qytetarët dhe ne si përfaqësues të qytetarëve se për çfarë është pajtuar Qeveria e Kosovës, në këtë rast përmes kryeministrit, në cilat pika dhe si do të jetë ai lloj Asociacioni”, tha ai.

Kurti ka deklaruar se drafti i propozuar për Asociaconin është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. Dokumenti nuk është bërë publik, me kërkesë të ndërmjetësuesve ndërkombëtarë.

Shefi i deputetëve të LDK-së, Arben Gashi, tha se në të kaluarën ka pasur kërkesa të tilla për mospublikimin e dokumenteve, por ai tha se pret që Kurti të vijë në Kuvend së bashku me dokumentin për Asociacionin, të cilin e ka pranuar.

Lajme të ngjajshme

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Lajmet e fundit