Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, ka njoftuar se ka zhvilluar një takim me kryetarin e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, Adem Çuçul, gjatë të cilit është dorëzuar Strategjia Kombëtare për Parandalimin e Korrupsionit dhe Konfliktit të Interesit 2026–2030.
Gashi e cilësoi takimin si produktiv dhe vlerësoi punën e komisionit në hartimin e dokumentit strategjik.
“E falënderova Kryetarin dhe anëtarët e Komisionit për punën dhe angazhimin e tyre në përgatitjen e këtij dokumenti strategjik, i cili është rezultat i një procesi gjithëpërfshirës”, deklaroi Gashi.
Ai bëri të ditur se dokumenti do të procedohet menjëherë në procedurë parlamentare, në mënyrë që të shqyrtohet sa më shpejt nga deputetët.





