Izraeli dhe Hezbollahu pajtohen për armëpushim

Izraeli dhe grupi i armatosur libanez Hezbollah kanë arritur marrëveshje për armëpushim, ka konfirmuar një zyrtar i lartë amerikan për mediat ndërkombëtare. Armëpushimi pritet të hyjë në fuqi sot pas ndërmjetësimit të Shteteve të Bashkuara, Katarit dhe me përfshirje diplomatike të Iranit.

Marrëveshja vjen vetëm një ditë pasi SHBA-ja dhe Irani nënshkruan marrëveshje më të gjerë për t’i dhënë fund luftës rajonale, e cila parashihte ndërprerjen e operacioneve ushtarake në të gjitha frontet, përfshirë edhe Libanin. Megjithatë, luftimet mes Izraelit dhe Hezbollahut kishin vazhduar edhe pas asaj marrëveshjeje.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Libanit, sulmet izraelite që nga mesnata kanë shkaktuar të paktën 47 të vdekur, ndërsa ushtria izraelite ka bërë të ditur se katër ushtarë të saj janë vrarë nga sulmet e Hezbollahut.

Në ditët e fundit janë vërejtur edhe tensione mes administratës së presidentit amerikan Donald Trump dhe qeverisë izraelite lidhur me mënyrën e zbatimit të marrëveshjeve për paqe dhe sigurinë në Libanin jugor.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit