Kryeministri i Malit të Zi kundërshton planin italian, nuk do qendra për migrantë në vend

Advertisement

Kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajiç, ka deklaruar se vendi i tij nuk planifikon të ndërtojë qendra për pritjen e migrantëve të paligjshëm, pas raportimeve se Podgorica mund të jetë pjesë e një nisme të re evropiane për menaxhimin e flukseve migratore.

Përmes një reagimi në rrjetin social X, Spajiç tha se Qeveria e Malit të Zi nuk ka zhvilluar negociata me Bashkimin Evropian për një projekt të tillë dhe se nuk ka marrë asnjë iniciativë zyrtare për hapjen e qendrave.

“Nuk ka pasur bisedime për ngritjen e qendrave të tilla në territorin e Malit të Zi. Nëse një propozim i tillë do të paraqitet, qëndrimi ynë do të jetë negativ”, deklaroi Spajiç.

Reagimi i tij vjen pas raportimeve të mediave malazeze, të cilat duke iu referuar burimeve diplomatike dhe agjencisë italiane ANSA, bënë të ditur se Mali i Zi mund të jetë ndër vendet ku Bashkimi Evropian shqyrton mundësinë e krijimit të qendrave për pritjen dhe riatdhesimin e migrantëve.

Sipas këtyre raportimeve, iniciativa lidhet me zgjerimin e modelit të marrëveshjes që Italia ka me Shqipërinë për menaxhimin e çështjeve të migracionit, ndërsa financimi i qendrave të reja do të mund të mbulohej nga fondet evropiane.

Përveç Malit të Zi, në listën e vendeve të përmendura si mundësi për një projekt të tillë janë edhe disa shtete të Afrikës dhe Azisë.

Kryeministri malazez theksoi se vendi mbetet i përkushtuar në bashkëpunimin me Bashkimin Evropian për mbrojtjen e kufijve dhe menaxhimin e migracionit, por çdo vendim që prek territorin e Malit të Zi do të merret duke pasur parasysh interesat e qytetarëve.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit