Do të kthehemi tri herë më të fortë, pa merak” – ishte mesazhi i lënë më 26 shkurt të këtij viti në njërin prej disa grupeve të mbyllura të Telegramit, përmes të cilit komunikonin “shitësit” maqedonas të kartelave false të debitit me imazhin e ish-presidentit amerikan, Donald Trump.
Siç konfirmoi Radio Evropa e Lirë, nga ky grup u fshi e gjithë përmbajtja.
Dhe, ai nuk është i vetmi.
Dy ditë pasi REL-i publikoi detajet e një mekanizmi në internet, të krijuar me qëllimin që dhjetëra maqedonas – kryesisht nga qyteti i Velesit – të përfitonin para nga qytetarët amerikanë, përmbajtja nga shumica e kanaleve në platformën Telegram u fshi.
Në këtë rrjet, sipas gjetjeve të REL-it, ishin të përfshirë 69 individë dhe gjithsej 88 faqe interneti.






