Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës Memli Krasniqi, ka folur për media pas ndërprerjes së seancës konstituive.
Krasniqi tha se kjo është një situatë e pahijshme.
“Situatë e paprecedentë dhe një situatë që nuk i ka hije një institucioni kaq të rëndësishme si Kuvendi i Kosovës”, deklaroi Krasniqi.
Krasniqi tha se partia fituese duhet ta ndërroi emrin e kandidatit sepse siç tha ai, Haxhiu nuk do ta ketë mbështetjen e PDK-së.
“Rrugëdalja është e qartë, VV duhet ta gjejë kandidatin tjetër, sepse ajo që dështoi do të dështoj prapë. Kandidatja Haxhiu nuk do të ketë mbështetjen tonë në asnjë moment. Ajo është përgjegjëse për shumë skandale, që nga humbja e mostrave të Deharit e deri te ulja e fondeve për çlirimtarët në Hagë. Ajo është edhe autorja e këtij ligji për Qeverinë, që po e shkakton këtë situatë”, tha ai.
Edhe sot Lëvizja Vetëvendosje nuk i pati votat për votimin e kryetarit të Kuvendit.
Kështu Glauk Konjufca, tha se LVV-ja e ka emrin e njëjtë për këtë pozitë, dhe kërkoi kohë shtesë për këtë.
Seanca e radhës vazhdon më 23 prill, të mërkurën në ora 10:00./Klankosova.tv