Kosova shkon në zgjedhje të parakohshme, Kurti sulmon pakicën në seancën e fundit të Kuvendit: Vendit i duhet opozitë e re

Kuvendi i Kosovës dështoi mbrëmjen e sotme (e martë) të zgjedhë Presidentin e ri të vendit, megjithëse Gjykata Kushtetuese i dha 34 ditë kohë, duke çuar vendin sërish në zgjedhje të parakohshme.

Në minutat e fundit të këtij afati, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka hedhur akuza të rënda ndaj opozitës.

“Kosova mund të ketë presidente të re, por për të pasur presidente të re duhet të ketë opozitë të re. Opozita është e vjetër, kjo opozitë mundet me sjellë ndonjë fytyrë të re por zanatin e karakterin e ka të vjetër. Prandaj janë edhe në rënie të lirë”, tha Kurti në Kuvend.

“Janë duke rënë vazhdimisht, sa më shumë që bëhen zgjedhje aq më poshtë po shkojnë dhe asnjë mësim nuk po e nxjerrin..”, tha ai.

Kështu, pas përfundimit të afatit kushtetues vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare, pasi Kuvendi i Kosovës shpërndahet automatikisht sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.

Kjo nënkupton që zgjedhjet e reja duhet të mbahen brenda afatit prej 45 ditësh.

Në orën 23:00 Kuvendi u mblodh për të katërtën herë brenda ditës. Kryetarja e Kuvendit, Albuena Haxhiu, teksa njoftoi vazhdimin e punës së seancës për zgjedhjen e kreut të Shtetit, ajo tha se “po presin nëse deputetët po kthehen”.

Ajo akuzoi opozitën se mungon “vullneti” për zgjedhjen e Presidentit.

“Përkundër thirrjes që deputetët të jenë të pranishëm në seancë, siç po e shihni opozita, deputetët e PDK, LDK, AAK, Lista Serbe, Duda Balje…, nuk janë të pranishme as në përpjekjen e fundit për ta zgjedhë presidentin e vendit…Po presim nëse deputetët po kthehen”, tha Haxhiu.

 

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit