Konfederata Evropiane e Volejbollit (CEV) ka miratuar unanimisht kandidaturën e përbashkët të Federatës së Volejbollit të Kosovës dhe Federatës Shqiptare të Volejbollit për organizimin e Kampionatit Evropian U16 për djem në vitin 2027.
Vendimi është marrë në mbledhjen e Bordit të Administratës së CEV-it dhe është konfirmuar përmes një letre zyrtare nga presidenti i CEV-it, Roko Sikirić, drejtuar presidentëve të dy federatave, Bahri Gjinovci dhe Erlind Pëllumbi.
Sipas njoftimit, kampionati do të zhvillohet në verën e vitit 2027 në Prishtinë dhe Tiranë, ndërsa finalja e madhe do të mbahet në kryeqytetin e Kosovës.
Turneu do të mbledhë 16 kombëtare nga e gjithë Evropa, duke u dhënë volejbollistëve të rinj mundësinë të tregojnë potencialin e tyre dhe të hedhin hapat e parë drejt një karriere ndërkombëtare.
Vendimi i CEV-it vjen edhe si rezultat i organizimit të suksesshëm nga Kosova dhe Shqipëria të Kampionatit Evropian U16 për vajza, i cili u mbajt gjatë verës së vitit 2026 dhe u vlerësua lartë nga institucionet evropiane të volejbollit.



