Kontrollet falas në Dibër zbulojnë edhe raste të reja me diabet

Advertisement

Dibër, 15 nëntor – Në kuadër të shënimit të Ditës Botërore të Diabetit, Spitali i Përgjithshëm në Dibër organizoi kontrolle shëndetësore falas për matjen e nivelit të sheqerit në gjak, në qendër të qytetit. Aktiviteti u mirëprit nga qytetarët, të cilët ishin të shumtë për të kontrolluar nivelin e sheqerit në gjak. Kishte edhe persona që për herë të parë kuptuan se kishin probleme me nivelin e lartë të sheqerit në gjak.

 

Drejtori i Spitalit të Përgjithshëm në Dibër, Mersim Koleci, deklaroi se ishte organizuar një aksion për kontrolle shëndetësore dhe matje falas të nivelit të sheqerit në gjak për qytetarët. “Ky aktivitet kishte për qëllim ndërgjegjësimin e qytetarëve për rëndësinë e parandalimit, zbulimit të hershëm dhe menaxhimit të diabetit. Përmes këtyre aktiviteteve, synojmë të promovojmë kujdesin shëndetësor, kontrollet e rregullta dhe një jetë më të shëndetshme për të gjithë banorët”, tha drejtori Koleci.

 

Mjeku specialist, dr. Axhija Kurtoski, tha për gazetën KOHA se kohëve të fundit në komunat Dibër dhe Qendër Zhupë është shënuar rritje e numrit të pacientëve me probleme të nivelit të sheqerit në gjak. “Aktualisht, në të dy komunat ka mbi 500 pacientë me diabet që marrin insulinë, ndërsa afër 2 mijë pacientë marrin tableta. Këtë vit kemi një rritje të numrit të pacientëve me diabet prej afërsisht 6 për qind, si te moshat e rritura, ashtu edhe te pacientët e rinj, përfshirë edhe grupmoshat më të reja. Spitali i Dibrës ka ndërmarrë të gjitha aktivitetet që pacientët me diabet të trajtohen me medikamentet e nevojshme pa asnjë problem”, tha mjeku specialist Axhija Kurtoski.

 

Ekipi që realizoi aktivitetin për kontrolle falas të nivelit të sheqerit në gjak, si dhe matjen e tensionit me rastin e Ditës Botërore të Diabetit, zbuloi edhe raste të reja të bashkëqytetarëve që për herë të parë mësuan se kishin diabet. “Banorët e të dy komunave, vitet e fundit, kanë një vetëdije shumë më të lartë për kontrollet dhe matjen e sheqerit në gjak, krahasuar me periudhën e mëparshme. Kjo është një gjë e mirë, pasi zbulimi i hershëm i nivelit të lartë të sheqerit në gjak ka një rëndësi shumë të madhe”, tha dr. Axhija Kurtoski.

 

Në aktivitetin në fjalë takuam edhe Razie F., e cila po kryente kontrollin e nivelit të sheqerit në gjak. Ajo na tha se po e kontrollonte sheqerin për herë të parë. “Niveli i sheqerit më doli mbi 9 dhe mjeku më sugjeroi të bëj një kontroll të detajuar në spital. Nuk e kam ditur se kam problem me sheqerin, por ja, kjo ndodhi. Jam 47 vjeçe dhe banoj në një nga fshatrat e Dibrës”, tha ajo.

 

Edhe qytetarët e tjerë që kryen kontrolle në pikën e vendosur në Dibër me rastin e Ditës Botërore të Diabetit thanë se ky aktivitet, i organizuar para objektit të Kryqit të Kuq në Dibër, kishte një rëndësi shumë të madhe, pasi shumë banorë lokalë, të cilët deri më tani nuk kishin bërë kontrolle të nivelit të sheqerit në gjak, patën mundësinë ta kryenin këtë kontroll shëndetësor. (koha.mk)

 

 

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit