Inspektorati Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor ka përfunduar inspektimin e jashtëzakonshëm në spitalet e përgjithshme në Ohër dhe Strugë, si dhe në Klinikën për Gjinekologji dhe Obstetrikë në Shkup, lidhur me rastin e pacientes L.J.Sh. nga Ohri, e cila humbi foshnjën para përfundimit të shtatzënisë.
Ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, ka kërkuar që kontrollet të përfshijnë edhe punën e gjinekologut amë të pacientes, si dhe trajtimin që ajo ka marrë në një institucion privat shëndetësor.
Klekovski tha se inspektimi në institucionet publike ka mbuluar periudhën nga maji deri në shtator, ndërsa raporti përfundimtar pritet të përfshijë edhe të dhënat nga gjinekologu amë dhe institucioni privat.
Sipas ministrit, pacientja gjatë kësaj periudhe ka kërkuar ndihmë edhe në një institucion privat shëndetësor, për çka ai ka kërkuar të kontrollohet se çfarë trajtimi i është ofruar.
Klekovski bëri thirrje për durim deri në përfundimin e plotë të raportit, duke theksuar se dëshiron të kontaktojë drejtpërdrejt me pacienten për të marrë informacionet e nevojshme.






