Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka vendosur të premten, 2 tetor, ta largojë Blerim Isufajn nga pozita e Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.
Vendimi u mor në një mbledhje të jashtëzakonshme, pas shqyrtimit të rrethanave institucionale dhe profesionale të lidhura me ushtrimin e detyrës.
Sipas KPK-së, ndër arsyet për largimin e Isufajt janë keqmenaxhimi i Prokurorisë Speciale, jokompetenca në ushtrimin e funksionit, dështimi në përmbushjen e detyrave dhe përgjegjësive ligjore, si dhe mospërmbushja e standardeve të kërkuara të performancës.
KPK ka theksuar se këto vlerësime lidhen drejtpërdrejt me ushtrimin e funksionit dhe nuk i konsideron si vlerësime të përgjithshme apo konsiderata politike.
Në vend të Isufajt, KPK ka caktuar prokurorin Dren Paca si ushtrues detyre të Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, deri në përzgjedhjen e kryeprokurorit të ri përmes procedurave ligjore.
Ndërkohë, Isufaj nuk largohet nga Prokuroria Speciale dhe do të vazhdojë punën si prokuror në këtë institucion.






