Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, e ka uruar Albin Kurtin për rizgjedhjen e tij në postin e kryeministrit të Republikës së Kosovës.
Kasami ka vlerësuar se Maqedonia e Veriut dhe Kosova do ta vazhdojnë bashkëpunimin dypalësh, me theks të veçantë te projektet e përbashkëta infrastrukturore dhe proceset që, sipas tij, i afrojnë dy vendet drejt së ardhmes evropiane.
“Institucionet stabile të ndërtuara mbi vullnetin e sovranit janë garancioni më i mirë për qeverisje të përgjegjshme, të guximshme dhe të vendosur për të ndërtuar shtetin mbi themele të fuqishme dhe të qëndrueshme”, ka shkruar Kasami.
Në urimin e tij, Kasami është ndalur edhe te zhvillimet që lidhen me historinë e Kosovës dhe luftën çlirimtare, duke shprehur mbështetje për Republikën e Kosovës.
“Jemi pranë Republikës së Kosovës në këto momente me rëndësi historike, me mbështetje të plotë për luftën e pastër çlirimtare mbi të cilën u ngritën themelet e Republikës së pavarur”, ka deklaruar Kasami.
Ai ka shtuar se vendimet juridike të politizuara nuk mund ta ndryshojnë atë që, sipas tij, është e vërtetë historike.
“Historia njeh shumë raste kur ligji është përdorur për të marrë vendime kundërthënëse, por asnjë vendim i politizuar nuk mund ta fshijë një të vërtetë historike dhe asnjë autoritet nuk mund ta zhbëjë me një akt juridik atë që një popull e ka fituar me vetëmohim e sakrifica”, ka përfunduar Kasami.






