Çmimet e karburanteve janë rritur për të dytën javë radhazi, ndërsa Qeveria njofton se të hënën do të shqyrtojë mundësinë e ndërhyrjes përmes akcizës dhe TVSH-së.
Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se pas përfundimit të gjysmës së dytë të muajit do të bëhen llogaritjet mesatare dhe, bazuar në këto të dhëna, do të vendoset nëse do të ndërmerren masa për çmimet e derivateve të naftës.
“Po përfundon gjysma e dytë e muajit dhe të hënën do të bëjmë një mesatare për këtë periudhë. Në bazë të këtyre parametrave do të veprojmë lidhur me çmimet e derivateve të naftës”, tha Mickoski.
Sipas tij, është pozitive që çmimi i naftës në tregjet botërore është stabilizuar.
“Sot çmimi është stabilizuar rreth 85-86 dollarë për fuçi, kështu që javën e ardhshme pres një ulje më të madhe të çmimit të naftës dhe benzinave”, deklaroi kryeministri.
Ndërkohë, Komisioni Rregullator për Energjetikë dje miratoi vendim për rritjen e re të çmimeve të karburanteve. Sipas vendimit, çmimi i dizelit u rrit për 4.5 denarë për litër, ndërsa benzina për 3 denarë.
Nga sot, dizeli shitet me çmim prej 98.5 denarë për litër, benzina Eurosuper BS-95 kushton 93 denarë për litër, ndërsa Eurosuper BS-98 shitet me 95 denarë për litër.
Mickoski përsëriti edhe këtë herë se Maqedonia e Veriut ka çmimet më të ulëta të karburanteve në rajon, duke theksuar se stabilizimi i çmimeve në tregjet ndërkombëtare mund të ndikojë në uljen e ardhshme të çmimeve vendore.përcjell Zhurnal.mk .






