Rikonstruksioni i linjës hekurudhore Shkup–Kërçovë, pjesë e Korridorit 8, është përfshirë në Listën e Parë Përfundimtare Prioritare të projekteve për investime publike, të miratuar nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut.
Zëvendësministrja e Transportit dhe Lidhjeve, Kaltrina Zekolli Shaqiri, e ka vlerësuar vendimin si një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të infrastrukturës hekurudhore dhe përmirësimit të lidhjeve të vendit me rajonin dhe Evropën.
Sipas saj, projekti ka rëndësi strategjike për zhvillimin e transportit dhe integrimin e Maqedonisë së Veriut në rrjetet rajonale dhe evropiane të transportit.
“Korridori 8 nuk është vetëm një linjë hekurudhore, është një arterie strategjike që e lidh vendin tonë me rajonin dhe Evropën”, deklaroi Zekolli Shaqiri.
Ajo theksoi se rikonstruksioni i linjës Shkup–Kërçovë pritet të kontribuojë në krijimin e një infrastrukture më moderne dhe në përmirësimin e efikasitetit të transportit hekurudhor.
Ministria e Transportit dhe Lidhjeve, sipas Zekolli Shaqirit, do të vazhdojë me realizimin e projekteve që synojnë përmirësimin e infrastrukturës dhe krijimin e kushteve për zhvillim më të madh ekonomik dhe lidhje më të mira të vendit me rajonin.






