Departamenti për Kontroll të Brendshëm, Hetimet Kriminalistike dhe Standardet Profesionale pranë MPB-së, ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit kundër zyrtarit policor D.M. nga SPB Tetovë, për veprën penale “falsifikim i dokumentit zyrtar” sipas nenit 361 të Kodit Penal.
Gjatë qershorit të vitit 2019, duke vepruar sipas kërkesës së një avokati nga Tetova, i denoncuari ka përpiluar një shkresë zyrtare për disponueshmërinë e një personi me përmbajtje të rremë, pa kryer paraprakisht kontrolle në teren. Me qëllim që ta zyrtarizonte këtë shkresë me përmbajtje të pavërtetë, ai ka keqpërdorur nënshkrimin e udhëheqësit, ka vendosur numër arkivor joadekuat, e ka vërtetuar me vulë zyrtare dhe ashtu të përgatitur ia ka dorëzuar në dorë avokatit nga Tetova, në kundërshtim me procedurat e përcaktuara për punë administrative dhe arkivore.
Shkresa është përdorur në një procedurë gjyqësore në Gjykatën Themelore të Tetovës, ku është evidentuar si dëshmi në dëm të një personi nga Tetova.



