Ministria e Punëve të Brendshme, sektori në Kumanovë ka ngritur kallëzim penal kundër ish-drejtores së Shkollës së mesme “Kiro Burnaz” nga Kumanova dhe tre personave të tjerë të punësuar në Ministrinë e Arrsimit se kanë lidhur marrëveshje të paligjshme duke keqpërdorur procedurën për transportin publik të nxënësve.
Siç njoftoi Ministria e Punëve të Brendshme, e denoncuara e parë V.T., gjatë vitit shkollor 2022/2023 dhe gjatë vitit shkollor 2023/2024, gjersa vazhdonte rindërtimi i shkollës dhe mësimi nuk vijonte me praninë fizike të nxënësve, në dy raste kishte zbatuar procedura të hapura për dhënien e kontratës për prokurim publik të shërbimit – transporti i nxënësve, në të cilat procedura ishte përzgjedhur ndërmarrja e denoncuar e transportit nga Kumanova, e përfaqësuar nga i denoncuari D.P.. nga Kumanova, si ofertuesi i vetëm dhe bartës i prokurimit.
“D.P., më pas së bashku me të denoncuarën V.T. kishin përgatitur procesverbale të rreme për shërbimin e kryer cilësor dhe në kohë, të cilat i kishin nënshkruar që të dy, dhe në bazë të procesverbaleve të rreme, D.P. kishte përgatitur fatura të rreme në të cilat ishin vënë të dhëna të pavërteta dhe si të tilla ishin dorëzuar në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës. Faturat e dorëzuara ishin miratuar dhe paguar nga e denoncuara e katërt V.D., e denoncuara e pestë D.B., e denoncuara e gjashtë V.V., e denoncuara e shtatë J.V., e denoncuara e tetë D.T. dhe e denoncuara e nëntë, N.K., edhe përkundër asaj se e kanë ditur se shkolla po rindërtohej dhe mësimi vijonte pa praninë fizike të nxënësve dhe të mësuesve”, kumtoi MPB.
Ndërkaq, e denoncuara S.B. – udhëheqëse e personit juridik për shërbime kontabiliteti nga Kumanova, edhe pse e ka ditur se faturat e përgatitura kishin përmbajtje të pavërtetë dhe nuk mbështeteshin nga asnjë dokumentacion tjetër shoqërues të detyrueshëm të paraparë me ligj, megjithatë i kishte regjistruar ato në librat financiarë të personit juridik për transportin e udhëtarëve.
“Në këtë mënyrë, të gjithë të denoncuarit i mundësuan të denocuarit D.P. dhe personit juridik për transportin e udhëtarëve nga Kumanova të pajisen me përfitim të kundërligjshëm pasuror në shumë të përgjithshme prej 32.620.123 denarë në dëm të buxhetit të RMV-së”, kumtoi MPB.