10.8 C
Skopje
Thursday, May 23, 2024

Java e tretë e luftës Izrael-Hamas

Lufta ndërmjet Izraelit dhe Hamasit ka hyrë në javën e tretë të sulmeve. Numri i përgjithshëm i viktimave që nga fillimi i luftës është rritur në mbi 5000 palestinezë dhe rreth 1400 izraelitë të vrarë.  Viktimat nga të dyja palët, kryesisht janë civilë.

Izraeli pritet gjerësisht të nisë një ofensivë tokësore në Gaza pas sulmit të Hamasit më 7 tetor. Tanke dhe trupa ushtarake janë grumbulluar në kufirin e Gazës dhe Izraeli thotë se ka shtuar sulmet ajrore në mënyrë që të zvogëlojë rrezikun për trupat në fazat e ardhshme.

Ministri izraelit i Mbrojtjes deklaroi se operacioni në Gaza mund të zgjasë një, dy ose tre muaj, por në fund nuk do të ketë më Hamas. Ndërkohë kryeministri palestinez kërkon veprim të menjëhershëm për ndalimin e luftës.

“Ajo që po ndodh në Gaza kërkon veprimin e menjëhershëm të mbrojtësve të të drejtave të njeriut me qëllim që të ndalojë vrasjen dhe zhvendosjen e detyruar të njerëzve tanë, të cilët janë bllokuar në mes të vdekjes dhe vuajtjeve. Kjo mund të përshkruhet si krim kundër njerëzimit, vrasje masive, shkelje flagrante e ligjit humanitar ndërkombëtar dhe shkelje e Konventave të Gjenevës. Ku është qytetërimi që lejon vrasjen e 1.800 fëmijëve, përfshirë edhe foshnjat? Ku është qytetërimi që lejon vrasjen e grave të pafajshme, të moshuarve dhe personave me aftësi të kufizuara?”, tha Mohamad Shtayeh- Kryeministër palestinez.

Nga ana tjetër liderët e Shteteve të Bashkuara, Kanadasë, Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Britanisë së Madhe e ritheksuan përkrahjen e tyre për Izraelin dhe të drejtën për t’u vetëmbrojtur, por i bënë thirrje t’i përmbahet ligjit ndërkombëtar humanitar dhe t’i mbrojë civilët.

Thirrjet e tyre u bënë për shkak të rritjes së frikës se lufta mes Izraelit dhe Hamasit mund të përhapet në një konflikt të gjerë në Lindjen e Mesme, pasi Izraeli i vazhdoi bombardimet ndaj Gazës dhe përleshjet ne kufirin libanez u intensifikuan.

Ata e mirëpritën dërgimin e autokolonave të para me ndihma humanitare në Gazë dhe u zotuan se do të punojnë me partnerët rajonalë për të garantuar “qasje të sigurt dhe qëndrueshme” në ushqim, ujë, kujdes mjekësor dhe ndihma tjera humanitare për 2.3 milionë banorët e Gazës./ Alsat.mk

 

Lajme të ngjajshme

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

EVN

Lajmet e fundit