Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, ka hapur Shkollën Verore të Qendrës së Përbashkët Kërkimore (JRC) të Komisionit Evropian, e cila deri më 18 shtator do të zhvillohet në Universitetin “Goce Dellçev” në Shtip.
Në këtë aktivitet marrin pjesë studentë, doktorantë dhe studiues të rinj nga Maqedonia e Veriut dhe vendet e Ballkanit Perëndimor. Ata do të trajnohen nga ekspertë evropianë në fusha që lidhen me cilësinë e ajrit, ujit dhe tokës, si dhe me tranzicionin e gjelbër dhe digjital.
Gjatë hapjes, Janevska tha se kjo nismë paraqet një mundësi të rëndësishme për forcimin e kapaciteteve shkencore dhe dëshmon gatishmërinë e vendit për të kontribuar në objektivat evropiane.
“Shkenca dhe kërkimi janë në qendër të politikave tona”, deklaroi Janevska, duke theksuar se Ministria po investon në laboratorë modernë, inovacion dhe projekte kërkimore.
Sipas saj, gjatë viteve 2025 dhe 2026, nga buxheti janë ndarë mbi 6 milionë euro për financimin e projekteve shkencore të universiteteve, instituteve dhe institucioneve të tjera kërkimore.
Bashkëorganizator i Shkollës Verore është Universiteti “Goce Dellçev” në Shtip, i cili është partner rajonal dhe evropian i Qendrës së Përbashkët Kërkimore të Komisionit Evropian.






