Janevska: Mësimi shqip në Idrizovë nga shtatori

Ministrja e Arsimit, Vesna Janevska deklaroi se çështja e mësimit shqip në Idrizovë, nga klasa e gjashtë e deri atë të nëntë, do të zgjidhet shumë shpejt. Fëmijët shqiptarë të Idrizovës detyrohen që ciklin e lartë fillor ta ndjekin në shkolla të komunave të tjera për shkak të mungesës së mësimit shqip në shkollën fillore “Njegosh” në Idrizovë. Në intervistën e lajmeve qendrore në Alsat, Janevska madje tha se ky problem dekadash do të marr një epilog pozitiv që në fillimin e vitit të ri shkollor 2026-2027.

“Atje ka shkollë dhe definitivisht është një çështje që mund të ketë një zgjidhje të shpejt dhe zgjidhja do të jetë shumë e shpejtë. Nga shtatori a do të mund të mësojnë në Idrizovë shqip? Po, besoj se nga shtatori do të mund të mësojnë në gjuhën e tyre amtare”, tha Vesna Janevska, ministre e Arsimit.

E pyetur përse Ministria e Arsimit nuk i përgjigjet kërkesës së komunës së Krushevës për përfundimin e ndërtimit të shkollës fillore në fshatin Nerovë, Janevska tha se nuk mund të kujtojë të gjitha detajet, por theksoi se ministria zakonisht u përgjigjet kërkesave brenda 48 orëve. Megjithatë, Janevska kujtoi se shkolla fillore në fshatin Nerovë nuk mund të financohet nga programet qeveritare, pasi komuna nuk ka dorëzuar projekt në kuadër të thirrjeve të hapura për financim.

“Nuk jam e sigurt, nuk më kujtohet, ndoshta edhe mund gaboj, nuk mund ti kujtoj të gjitha detajet. Nëse ka pasur një kërkesë, ne zakonisht u përgjigjemi të gjitha kërkesave brenda një afati jo më të gjatë se 48 orë. Megjithatë, po e pranoj se ndoshta në shërbimet ka ndodhur një lëshim. Do ta verifikojmë, do të shohim se për çfarë bëhet fjalë dhe do t’u përgjigjemi në mënyrën e duhur, në përputhje me kompetencat tona, kompetencat e tyre dhe mundësitë që kemi”, theksoi Vesna Janevska, ministre e Arsimit.

Ministrja e Arsimit, Vesna Janevska tha se ndërtimi i dy shkollave në Çair, të premtuara që në fillim të marrjes së mandatit të saj në vitin 2024 do të ndërtohen por sërish pa caktuar një datë konkrete. /Alsat.mk

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit