Janevska: 70 milionë euro janë investuar në mbi 90 projekte për infrastrukturën arsimore

Advertisement

Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, deklaroi në Kuvend se gjatë dy viteve të fundit janë investuar rreth 70 milionë euro në më shumë se 90 projekte për përmirësimin e infrastrukturës arsimore në vend.

Sipas Janevskës, vetëm përmes Ministrisë janë investuar 35 milionë euro në ndërtimin e shtatë objekteve të reja shkollore dhe katër sallave sportive, si dhe në rikonstruksionin e 30 objekteve shkollore e sportive dhe dy konvikteve studentore. Ajo tha gjithashtu se është zhbllokuar ndërtimi i objekteve të FINKI-t dhe FFK-së.

Janevska bëri të ditur se përmes dy thirrjeve për financimin e investimeve kapitale, Qeveria u ka ndarë komunave edhe 35 milionë euro për realizimin e 55 projekteve infrastrukturore.

Ministrja tha se po zgjerohen edhe kapacitetet e 14 shkollave në disa komuna, në kuadër të përpjekjeve për vendosjen e mësimit me një turn, ndërsa paralajmëroi nisjen graduale të 15 projekteve të tjera gjatë muajve të ardhshëm.

Ajo njoftoi gjithashtu se planifikohet ndërtimi i 30 sallave të reja sportive, rikonstruksioni i konvikteve të mbetura shtetërore dhe i gjashtë shkollave me qendra burimore, duke theksuar se mjetet për këto projekte janë siguruar.

Duke folur për rezultatet e mandatit aktual, Janevska tha se ato, sipas saj, mund të krahasohen me periudhat e mëparshme dhe kritikoi punën e qeverive që kanë qenë më herët në pushtet.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit