ISHP nxjerr rekomandime për Gostivarin: Uji i ujësjellësit nuk bën të pihet as pas vlimit, të përdoret uji i paketuar

Advertisement

Instituti i Shëndetit Publik (ISHP) ka publikuar sot rekomandime për popullatën e Gostivarit, pas ndalimit të përdorimit të ujit për pijshëm nga ujësjellësi i qytetit, vendim ky i marrë nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë më 17 korrik, për shkak të dyshimit se uji është i ndotur dhe i pasigurt për përdorim.
Nga ISHP apelojnë që qytetarët t’i respektojnë rreptësisht rekomandimet deri në njoftimin zyrtar nga institucionet kompetente se uji është përsëri i sigurt për t’u pirë.

​Sipas rekomandimeve, uji nga ujësjellësi i qytetit nuk guxon të përdoret për pijshëm, as pasi të jetë vluar, përveç nëse institucionet kompetente japin ndonjë rekomandim tjetër. Për pirje, përgatitje të ushqimit, larje të pemëve dhe perimeve që konsumohen të freskëta, përgatitje të akullit, kafesë, çajit, lëngjeve dhe ushqimit për foshnja, qytetarët duhet të përdorin ekskluzivisht ujë të paketuar fabrikisht, përkatësisht ujë të shisheve.

​ISHP rekomandon larjen e rregullt të duarve me sapun dhe ujë të sigurt, e nëse kjo nuk është e mundur, të përdoren mjete për dezinfektim me bazë alkooli kur duart nuk janë dukshëm të ndotura. Për larjen e dhëmbëve gjithashtu duhet të përdoret ekskluzivisht ujë i sigurt, ndërsa gjatë dushit dhe larjes rekomandohet përdorimi i ujit të sigurt ose të vluar, duke pasur kujdes që ai të mos gëlltitet.

​Në rekomandime theksohet se ushqimi duhet të përpunohet mirë termikisht dhe të shmanget përgatitja e gjellëve që nuk gatuhen nëse nuk ka ujë të sigurt.
Gjithashtu, rekomandohet përdorimi i tacave dhe enëve njëpërdorimshe për ngrënie, në mënyrë që të zvogëlohet nevoja për larje.
​Për objektet hoteliere dhe të kateringut vejnë rekomandime shtesë: të mos përdorin ujë nga ujësjellësi për përgatitjen e pijeve, larjen e pemëve dhe perimeve, e as për prodhimin e akullit, ndërsa ushqimin ta përgatisin ekskluzivisht me ujë të sigurt.
​Në kopshtet e fëmijëve, fëmijët duhet të pinë vetëm ujë të shisheve, të mos përdoren çezmat për mbushjen e shisheve, ndërsa ushqimi të përgatitet me ujë të sigurt.

​ISHP paralajmëron se uji i pasigurt mund të jetë burim i infeksioneve bakteriale, virale dhe parazitare që shkaktojnë gastroenterit. Qytetarët që do të ndjejnë simptoma si diarre, të vjella, mundim, ngërçe në stomak, temperaturë të ngritur, dobësi ose shenja të dehidratimit duhet të lajmërohen menjëherë te mjeku amë ose në institucionin më të afërt shëndetësor. Kujdes i veçantë rekomandohet te foshnjat, fëmijët e vegjël, gratë shtatzëna, të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike ose imunitet të dobësuar.

​Nga Instituti apelojnë që qytetarët t’i ndjekin rregullisht njoftimet e institucioneve kompetente, ndërsa ujin nga ujësjellësi i qytetit ta përdorin përsëri për pijshëm vetëm pas kumtesës zyrtare se ndalesa është shfuqizuar dhe se uji është i sigurt.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit