Instituti i Shëndetit Publik njofton se aktualisht nuk ka rrezik për përhapjen e hantavirusit në vend dhe deri më tani nuk është regjistruar asnjë rast me këtë virus. Nga Instituti bëjnë të ditur se Sektori i Epidemiologjisë është në komunikim të vazhdueshëm me OBSH-në dhe Qendrën Evropiane për Kontrollin e Sëmundjeve, pas rasteve të raportuara të hantavirusit të lidhura me një anije turistike në rajonin e Atlantikut Jugor. Në anije nuk ka pasur shtetas të Maqedonisë së Veriut, as si udhëtarë dhe as si anëtarë të ekuipazhit.
“Instituti i Shëndetit Publik është i përgatitur me protokolle që nëse ka nevojë për çfarë do lloj reagimi. Njëkohësisht i posedon të gjitha reagensat e nevojshëm, pajisje, metodologji për diagnostikim, kuadrin e nevojshëm profesional. Po e potencoj edhe njëherë se qytetarët të jenë të qetë për momentin”, deklaroi, drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik
Sipas Andonovskas, ekzistojnë dy lloje të hantavirusit. Njëri lloj ka qenë i pranishëm edhe në vitin 2015, ndërsa lloji tjetër, që është aktualisht në qarkullim, shoqërohet me simptoma të frymëmarrjes.
“Në lidhje me hatnavirusin ai nuk është virus i ri. Ka dy lloje, që njëri është evropian aziatik që është me simptoma renale, ndërsa tjetri është ai që për momentin është zbuluar, që është amerikan dhe ka simptoma respiratore. Lloji i parë nga viti 2015 është diagnostikuar dhe deri më tani në vend kemi pasur 32 raste me 3 raste të vdekjeve….Lloji i dytë tani që është paraqitur nuk kemi pasur asnjë rast në Maqedoni”, theksoi, drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik
Hantaviruset janë viruse që barten kryesisht nga brejtësit, si minjtë. Njerëzit mund të infektohen kur thithin ajër të ndotur nga urina, jashtëqitjet ose sekrecionet e brejtësve të infektuar, por edhe kur prekin sipërfaqe të kontaminuara dhe më pas fytyrën apo ushqimin. /Alsat.mk





