Ish-presidenti i Ekuadorit, Lenin Moreno, është dënuar me pesë vite burg për korrupsion, pasi u shpall fajtor për pranimin e ryshfetit në lidhje me një kontratë publike për ndërtimin e hidrocentralit Coca Codo Sinclair.
Gjykata shpalli fajtorë edhe ish-nënpresidentin dhe gjashtë persona të tjerë, mes tyre një ish-ambasador kinez. Sipas prokurorisë, pagesat e paligjshme lidhen me grupin kinez të ndërtimit Sinohydro, i cili akuzohet se ka dhënë gjithsej 76 milionë dollarë ryshfet.
Moreno, 73 vjeç, i cili gjatë gjykimit ka mohuar akuzat, ka deklaruar se do ta apelojë vendimin. Ai ka pretenduar se ndaj tij është zhvilluar një persekutim politik nga ish-mentori i tij, Rafael Correa.
Në të njëjtën çështje, bashkëpandehur të tjerë, përfshirë gruan dhe vajzën e Morenos, janë dënuar me rreth tre vite burg për bashkëpunim.
Sipas akuzës, rrjeti i korrupsionit ka funksionuar gjatë periudhës 2009–2018 dhe ka qenë i lidhur me projektin e hidrocentralit Coca Codo Sinclair.
Moreno ishte nënpresident gjatë mandatit të Rafael Correës, ndërsa më vonë marrëdhëniet mes tyre u përkeqësuan pasi Moreno ndryshoi kursin politik dhe u afrua me Shtetet e Bashkuara.
Moreno ka këmbëngulur pas vendimit se nuk ka marrë “asnjë qindarkë nga Sinohydro”.






