Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka përfunduar përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor 2026/2027, ka deklaruar zëvendësministri i Arsimit, Driton Sulejmani.
Sipas tij, janë adresuar problemet e pranishme në vitet e kaluara, veçanërisht ato që lidhen me furnizimin me tekste shkollore.
“Ky është vetëm viti i tretë që nga koha kur kjo qeveri është në funksion dhe nxënësit do t’i kenë librat në kohë dhe të gjitha tekstet që u nevojiten për një proces të mirëfilltë edukativo-arsimor”, deklaroi Sulejmani.
Ai tha se është bërë optimizimi i paraleleve në të gjithë vendin, me qëllim krijimin e kushteve më të mira për zhvillimin e procesit mësimor dhe sigurimin e më shumë mjeteve financiare për shkollat.
Katër klasa të reja në Idrizovë
Sulejmani njoftoi gjithashtu se po zgjidhet problemi i hapësirave për mësimin në gjuhën shqipe në Shkollën Fillore “Njegosh” në Idrizovë.
Sipas tij, janë siguruar mjetet dhe është përfunduar procedura e prokurimit për ndërtimin e katër klasave të reja, ndërsa punimet tashmë kanë filluar.
“Me këtë hapësirë do të zgjidhet edhe problemi i nxënësve nga klasa e pestë deri në të nëntën, pasi do të kenë hapësirë të mjaftueshme për ta zhvilluar mësimin në të njëjtën shkollë”, tha Sulejmani.
Ai shtoi se mund të ketë nevojë edhe për angazhimin e mësimdhënësve të rinj.
Ndërkohë, pjesë e Strategjisë për Arsim 2026–2032 është edhe zgjerimi i mësimit tërëditor. Aktualisht, rreth 200 paralele në vend zhvillojnë mësim tërëditor, ndërsa synimi është që deri në fund të vitit 2032, të gjitha shkollat të përfshihen në këtë sistem.






