Të dhënat e hulumtimit “Disrupting Harm” tregojnë për një përmasë të konsiderueshme të shfrytëzimit dhe abuzimit seksual të fëmijëve të lehtësuar përmes teknologjisë në Maqedoninë e Veriut.
Sipas raportit, rreth një në dhjetë fëmijë të moshës 12 deri në 17 vjeç gjatë një periudhe njëvjeçare janë ekspozuar ndaj një forme të tillë abuzimi, që përfaqëson rreth 12 mijë fëmijë në nivel kombëtar.
Nga fëmijët e prekur, 48 për qind kanë qenë të ekspozuar ndaj më shumë se një forme abuzimi ose shfrytëzimi. Sipas të dhënave, djemtë dhe vajzat janë prekur në përmasa të ngjashme.
Në 78 për qind të rasteve, kryerësi ka qenë person i njohur për fëmijën, ndërsa vetëm në 5 për qind të rasteve bëhej fjalë për person të panjohur. Në 57 për qind të rasteve kryerësit kanë qenë të rritur, ndërsa në 22 për qind janë përfshirë bashkëmoshatarë.
Në 39 për qind të rasteve është përfshirë partneri aktual ose i mëparshëm intim, apo një person ndaj të cilit fëmija kishte simpati, ndërsa në 27 për qind të rasteve ka qenë i përfshirë një anëtar i familjes.
Sipas hulumtimit, në 52 për qind të rasteve janë përdorur platformat e rrjeteve sociale, ndërsa 30 për qind e rasteve kanë ndodhur përmes platformave të lojërave online.
Platformat më shpesh të raportuara kanë qenë Instagrami me 76 për qind, Snapchat me 55 për qind, TikToku me 51 për qind, WhatsApp me 40 për qind, Facebooku me 34 për qind, YouTube me 29 për qind dhe X me 21 për qind.
Forma më e shpeshtë e abuzimit ka qenë ekspozimi i fëmijëve ndaj përmbajtjeve seksuale pa pëlqimin e tyre. Po ashtu, janë raportuar edhe raste kur fëmijëve u është kërkuar të dërgojnë fotografi ose video intime.
Raporti tregon gjithashtu se fëmijët e ekspozuar ndaj këtyre formave të abuzimit kanë pasur 11 herë më shumë gjasa për vetëlëndim dhe 12 herë më shumë gjasa për mendime dhe sjellje vetëvrasëse, si dhe nivele më të larta të ankthit.
Edhe pse 88 për qind e fëmijëve ia kanë treguar abuzimin dikujt, raportimi tek institucionet ka qenë shumë i rrallë. Vetëm 1 për qind kanë raportuar në polici, 1 për qind në qendrat për punë sociale, ndërsa 0,2 për qind kanë kontaktuar një linjë ndihme.
Iseni: Mbrojtja e fëmijëve është përgjegjësi e përbashkët
Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Astrit Iseni, gjatë prezantimit të raportit tha se hulumtimi paraqet një hap të rëndësishëm për kuptimin dhe trajtimin e rreziqeve që mjedisi digjital paraqet për fëmijët.
“Gjatë procesit të realizimit të hulumtimit, UNICEF-i zbatoi një proces gjithëpërfshirës dhe inkluziv, i cili bashkoi institucionet, opinionin profesional dhe qytetarët. Kjo qasje e integruar përcjell mesazhin se mbrojtja e fëmijëve është përgjegjësi e përbashkët dhe se vetëm përmes gjithëpërfshirjes, partneritetit dhe përkushtimit kombëtar mund të krijojmë një të ardhme digjitale të sigurt për çdo fëmijë”, tha Iseni.






