Çerdhja “Breshia” në Dibër liron nga pagesa fëmijët nga familjet në gjendje të rëndë sociale

Advertisement

Çerdhja e fëmijëve “Breshia” në Dibër do të vazhdojë të ofrojë mbështetje për fëmijët nga familjet me gjendje të rëndë sociale. Në seancën e fundit të Këshillit Komunal, këshilltarët miratuan propozimin e Këshillit Drejtues dhe Drejtorisë së çerdhes për lirimin nga pagesa e participimit për këtë kategori fëmijësh.

Qëllimi i vendimit është t’u mundësohet fëmijëve nga familjet në gjendje të vështirë sociale të ndjekin edukimin dhe të kenë akomodim në institucionin parashkollor.

Drejtoresha e çerdhes “Breshia”, Ajri Daçi, tha se institucioni prej disa vitesh i liron nga participimi fëmijët nga familjet me probleme të rënda sociale, ndërsa kjo praktikë propozohet të vazhdojë edhe në të ardhmen.

“Çerdhja tani e disa vite ka liruar nga participimi kategoritë e fëmijëve nga familjet me probleme të rënda sociale. Po ashtu, kanë qenë të liruar nga participimi edhe fëmijët e etnitetit rom, me qëllim që edhe ata të kenë mundësi të ndjekin edukimin në këtë kopsht”, deklaroi Daçi.

Këshilltarët komunalë vlerësuan se lirimi nga participimi është i nevojshëm, por theksuan rëndësinë e kontrollit të dokumentacionit të dorëzuar nga prindërit, për të shmangur keqpërdorimet. Ata kërkuan gjithashtu që të vazhdojë lirimi nga pagesa për fëmijët romë.

Drejtoresha Daçi bëri të ditur se pas ndërtimit dhe funksionalizimit të aneks-objektit, hapësirat e çerdhes tashmë i plotësojnë nevojat. Megjithatë, ajo theksoi se mbetet për t’u zgjidhur çështja e statusit të disa edukatoreve dhe punonjësve teknikë, të cilët punojnë prej disa vitesh, por nuk kanë vendime për punësim të përhershëm.

Sipas Drejtorisë, në çerdhen “Breshia” aktualisht janë të akomoduar rreth 400 fëmijë.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit