Gjithsej 72 lokacione në 64 komuna në shtet janë pajisur me internet pa tel falas me shpejtësi prej 200 megabajtë në sekondë, përmes projektit të përkrahur nga Bashkimi Evropian dhe Gjermania.
Deri tani janë regjistruar mbi 200.000 shfrytëzues dhe janë transmetuar më shumë se 115 terabajtë të dhëna. Kjo u theksua sot në ngjarjen përfundimtare të projektit “BE-ja për Ballkanin Perëndimor – Wi-fi në Maqedoninë e Veriut”, e zbatuar nga GIZ në koordinim me Ministrinë e Transformimit Digjital dhe Telekomit të Maqedonisë.
Ambasadori i BE-ë, Mihail Rokas theksoi se projekti është shembull konkret për bashkëpunim në kuadër të “Ekipi Evropë” dhe konfirmim për prioritetin e lartë që Bashkimi Evropian ia jep lidhshmërisë digjitale. “Jemi të vetëdijshëm se zonat rurale dhe malore ende nuk kanë mbulim të mjaftueshëm me internet, prandaj duhet të shtojmë përpjekjet tona për ta bërë qasjen në internet të arritshëm dhe të përballueshëm për çdo qytetar. Në të njëjtën kohë, duhet të promovojmë më mirë aktivitetet tona dhe të sigurohemi që të gjithë të jenë të informuar rreth tyre, përfshirë turistët”, tha Rokas. Ai vlerësoi se deri tani 200.000 shfrytëzuesit unikë janë fillim i mirë, por se një numër edhe më i madh qytetarësh duhet ta përdorin shërbimin.
Njëheri, Rokas uroi Ministrinë e Transformimit Digjital për rezultatet në Raportin e fundit të Komisionit Evropian për përparimin e vendit, duke theksuar se transformimi digjital është një nga fushat me vlerësimet më të mira. Ambasadorja gjermane, Petra Dreksler theksoi se thelbi i iniciativës është inkluzioni digjital dhe sigurimi i qasjes së barabartë deri te informacionet, arsimi dhe shërbimet publike, pavarësisht nga vendi i banimit dhe mundësitë financiare të qytetarëve.
“Përfshirja digjitale nuk ka të bëjë me faktin nëse shumica prej nesh mund të hyjnë në internet kudo dhe në çdo kohë, por nëse të gjithë mund ta bëjnë këtë. Wi-Fi-ja publike është si një park publik ose bibliotekë – një pjesë e infrastrukturës digjitale që i përket të gjithëve. Ajo siguron që qasja në informacion, arsim dhe shërbime publike të mos varet nga madhësia e paketës së internetit celular të dikujt ose nga cilësia e mbulimit të rrjetit celular”, theksoi Dreksler.
Ambasadorja gjermane në vend vlerësoi se rezultatet janë konfirmim i bashkëpunimit midis shtetit, komunave, sektorit privat dhe partnerëve evropianë, duke theksuar se vendi i banimit nuk duhet të përcaktojë nëse qytetarët do të jenë në gjendje të përdorin përfitimet nga teknologjitë digjitale. Siç informoi ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski, megjithatë, plani i parë ka qenë me projektin të përfshihen rreth 40 komuna, por për shkak të interesit të madh të vetëqeverisjeve lokale, përfshirja është zgjeruar në 64 komuna dhe 72 lokacione.
Andonovski theksoi se përmes rrjetit deri tani janë transferuar mbi 115 terabajt të dhëna, gjë që, sipas tij, tregon se infrastruktura e krijuar po përdoret. Si lokacione të mundshme për fazën e ardhshme i theksoi Shën Naumin, Liqenin e Dibrës, Mavrovën dhe Kokinon. Ai theksoi se projekti është pjesë e strategjisë më të gjerë për zhvillimin e infrastrukturës së informacionit dhe komunikimit dhe lidhshmërisë, të parashikuar në strategjinë kombëtare “Smart MK 2030”.
“Fillimisht, projekti parashikonte mbulimin e rreth 40 komunave, por interesi ishte më i madh. Komunat ofruan nga tre lokacione dhe me partnerë arritëm ta zgjerojmë mbulimin në 64 komuna… Paralelisht me zhvillimin e shërbimeve elektronike, duhet të përmirësojmë kushtet që qytetarët të përdorin ato shërbime. Pasi kur flasim për digjitalizim, duhet të mendojmë edhe për personin që nuk ka qasje në internet ose për të cilin kostoja është pengesë. Detyra jonë është t’i zvogëlojmë këto pengesa me zgjidhje konkrete si kjo”, theksoi Andonovski.








