Gjorgjievski: Bashkëjetesa fillon në klasë, mirënjohje për profesorët e tetë shkollave të mesme në Shkup

Advertisement

Kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski, ka njoftuar se janë ndarë mirënjohje për profesorët e tetë shkollave të mesme, të cilët përmes orëve të përbashkëta mësimore kontribuojnë në afrimin e nxënësve të bashkësive të ndryshme etnike.

Në ceremoninë e organizuar mori pjesë edhe shefi i Misionit të OSBE-së në Shkup, Kilian Wahl.

“Bashkëjetesa fillon në klasë. Pikërisht profesorët krijojnë hapësira ku nxënësit mësojnë së bashku, ndërtojnë miqësi dhe kuptojnë se dallimet janë pasuri që na bashkon”, ka theksuar Gjorgjievski.

Mirënjohjet iu ndanë profesorëve dhe ekipeve të shkollave “Vëllezërit Milladinov”, “Zdravko Cvetkovski”, “Boro Petrushevski”, “Cvetan Dimov”, “Dr. Pançe Karagjozov”, “Arseni Jovkov”, “Dimitar Vllahov” dhe gjimnazit “Josip Broz Tito”.

Gjorgjievski bëri të ditur se Qyteti i Shkupit e mbështet këtë iniciativë që nga viti 2018, për të nëntin vit radhazi, duke qenë, sipas tij, e vetmja vetëqeverisje lokale në vend që ka ruajtur një vazhdimësi të tillë.

Ai falënderoi Misionin e OSBE-së për partneritetin shumëvjeçar dhe mbështetjen profesionale, duke theksuar se Qyteti i Shkupit do të vazhdojë të mbështesë iniciativa që promovojnë besimin, respektin dhe bashkëjetesën mes të rinjve.

“E ardhmja e Shkupit rritet në klasat tona, ndërsa detyrimi ynë është që çdo fëmijë të gjejë vendin dhe mundësinë e tij për sukses”, ka përfunduar Gjorgjievski.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit