Në 25-vjetorin e Marrëveshjes së Ohrit, një prej momenteve më të rëndësishme për paqen dhe të ardhmen e Maqedonisë së Veriut, sjellim një intervistë ekskluzive me ish-Kryeministrin dhe ish-Presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta. Për rolin e Shqipërisë, aktorëve politikë dhe ndërkombëtarë, si dhe për rëndësinë e kësaj marrëveshjeje 25 vite më pas, Meta flet në një intervistë me gazetarin Emad Mehmeti, për TV Shenja dhe Almakos.
Z. Meta, këto ditë u përkujtua 25-vjetori i Marrëveshjes së Ohrit. Çfarë përfaqëson Marrëveshja e Ohrit, sipas jush, pas 25 vitesh?
Meta: Për mua Marrëveshja e Ohrit përfaqëson triumfin e Paqes përmes Drejtësisë ndaj konfliktit permanent që zhvillohej në Maqedoni, që nga shpallja e Pavarësisë në vitin 1991.
Ndaj më 18 maj 2001, ambasadori Frowik, si përfaqësues i OSBE bëri thirrje publike për UÇK dhe Ali Ahmetin, se duhe të zgjidhnin ose Paqe me Drejtësi ose përshkallëzim të konfliktit.
Ndërkohë që ambasadori Frowik e dinte mirë se jo vetëm UÇK dhe Ali Ahmeti, por i gjithë faktori politik në Maqedoni, Shqipëri, Kosovë, kishte zgjedhur Paqen me Drejtësi prej të paktën dy muajsh kur në 11 Mars në Tiranë, dy partitë kryesore shqiptare në Maqedoni, PDSH në Qeveri dhe PPD në opozitë, me liderët e tyre kishin nënshkruar një deklaratë të përbashkët në Tiranë ku ndërsa dënonin dhunën dhe konfliktin e armatosur nga njëra anë, kërkonin ndryshime thelbësore në Maqedoni, përfshirë edhe ato kushtetuese, që do të garantonin barazi për shqiptarët sipas standardeve europiane.
Po kështu, ambasadori Frowik e dinte mirë se pas kësaj deklarate të përbashkët në Tiranë, midis dy partive kryesore shqiptare në Maqedoni, ishte zhvilluar pak më vonë edhe takimi i parë konfidencial në Tiranë, midis Arbën Xhaferit dhe kreut të saposhpallur publikisht të UÇK, Ali Ahmetit, ku ishte rënë dakord për rrugën që duhej ndjekur për shndërrimin e konfliktit në një Marrëveshje për rishikimin e Kushtetutës me qëllim garantimin e plotë të të drejtave të shqiptarëve, që u “harruan” në momentin historic të shpalljes së Pavarësisë së Maqedonisë nga Jugosllavia.
Por përmes kësaj thirrjeje publike, ambasadori Frowik donte të përgatiste opinionin publik për Marrëveshjen e Prizrenit, që do të ndodhte vetëm 4 ditë më pas midis kreut të UÇK-së, Ali Ahmetit dhe kryetarëve të dy partive kryesore shqiptare në Maqedoni, pra Arbën Xhaferit nga PDSH dhe Ymer Ymeri nga PPD.
Edhe pse ambasadori Frowik nuk e përmendi kurrë fjalën negocim, apo ndërmjetësim, foli publikisht për angazhimin e tij për të ofruar lehtësime për të përfshirë kryengritësit në bisedimet për t’i dhënë fund dhunës dhe garantuar paqen.
Por Marrëveshja e Prizrenit e arritur nga tre protagonistët e saj, Z. Ahmeti, Z. Xhaferi dhe Z. Ymeri u prit shumë keq, jo vetëm nga liderët maqedonas, por edhe nga përfaqësuesit e BE, të cilët u ndjenë “të përjashtuar” nga ky zhvillim i papritur për ta.
Kjo çoi në shpalljen si të padëshirueshëm nga Maqedonia të ambasadorit Frowik dhe e vonoi realizimin e Marrëveshjes së Ohrit edhe 2 muaj e gjysëm, në mënyrë krejt të panevojshme.
Por fatmirësisht nuk u vonua edhe një muaj më shumë, po të mos harrojmë se pak javë, nga 13 gushti 2001, kur u nënshkrua kjo marrëveshje historike ndodhi sulmi terrorist i 11 Shtatorit, që ndryshoi botën dhe jo vetëm SHBA.
Ju folët shumë për ambasadorin Frowik, por si reagoi Qeveria shqiptare ndaj krizës dhe cili ishte roli i saj për kapërcimin e krizës?
Meta: Kur flas për ambasadorin e ndjerë dhe të paharruar Frowik, kam parasysh rolin e avancuar të SHBA për zgjidhjen e shpejtë të konfliktit.
Ambasadori Frowik pati një rol të veçantë, që e interpretoi shkëlqyeshëm, pasi ai e njihte në brendësi Maqedoninë, Shqipërinë, Kosovën dhe Ballkanin.
Publikisht ai nuk përfaqësonte politikën e jashtme të SHBA, por OSBE ndaj kjo i jepte një liri veprimi, që i kushtoi dhe karrierën diplomatike.
Por të mos harrojmë se një ambasador amerikan, që ka hyrë përjetësisht në histori, si Ambasadori i OSBE, William Walker për denoncimin e Masakrës së Reçakut, që pati ndikim botëror për ekspozimin e genocidit barbar, por edhe në ndërhyrjen e NATO-s më vonë, nuk mori post tjetër diplomatik.
Ambasadori Frowik i dinte shumë mirë interesat e SHBA në Maqedoni dhe rajon.
Ai e kuptonte se kriza e akumuluar prej 10 vitesh në Maqedoni nuk mund të tejzgjatej më dhe se vetëm një Marrëveshje serioze që përfshinte edhe ndryshimet kushtetuese mund të garantonte një stabilitet afatgjatë në Maqedoni, siç edhe ndodhi.
Të mos harrojmë se më 12 Prill 2001, Sekretari i Shtetit, Colin Powell mblodhi Ministrat e Jashtëm të rajonit për të nxitur një zgjidhje në Shkup.
Po kështu, në 2 Maj, Presidenti i sapozgjedhur Bush priti në një vizitë të shpejtë Presidentin Trajkovski vetëm me qëllim zgjidhjen e krizës.
Por edhe pas kësaj vizite, Presidenti Trajkovski fajësonte Kosovën si burim të terrorizmit dhe shkak për konfliktin e armatosur në Maqedoni.
Kjo ndodhte se aq ai, që ishte shumë human dhe paqësor, si edhe as udhëheqësit e tjerë maqedonas nuk donin ta pranonin realitetin dhe faktin se shqiptarët trajtoheshin si qytetarë të dorës së dytë në vendin e tyre.
Fatkeqësisht duhej që konflikti të zgjaste edhe dy muaj të tjerë deri në ngjarjet e Haraçinës, që politikanët maqedonas ta kuptonin se nuk kishte zgjidhje ushtarake por vetëm politike.
Po kështu, edhe aktorë të rëndësishëm të BE, që kishin iluzione për një zgjidhje ushtarake pa dialog me UÇK.
Ndërkohë NATO ishte disa hapa para tyre.
Më 28 maj 2001, zyra e shtypit e NATO-s në Shkup pranoi publikisht se ambasadori i NATO-s, Hans Jorg Ajf ishte takuar me kreun e UÇK, Ali Ahmetin në Prizren.
Dhe takimi kishte ndodhur më 16 maj dy ditë para se ambasadori Frowik të bënte deklaratat e tij ku e ftonte Ali Ahmetin të linte armët dhe të zgjidhte Paqe me Drejtësi.
Ky takim i përfaqësuesit të NATO-s kishte ndodhur 6 ditë para Marrëveshjes së Prizrenit, midis Ahmetit, Xhaferit dhe Ymerit.
Dhe pikërisht më 16 Maj, kur Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Lordi Robertson ishte në Tiranë vetëm për krizën në Maqedoni dhe kur unë i kërkova publikisht mbështetjen për amnisti të përgjithshme të gjithë shqiptarëve, me qëllim riintegrimin e tyre në jetën shoqërore dhe politike të Maqedonisë.
Për t’u kthyer te pyetja juaj, shumë shkurt mund t’ju them se:
*1*. Edhe pse ngjarja e Tanushës në 3-4 mars dhe shpërthimi i konfliktit ishte si një rrufe në qiell të pastër për Qeverinë e Shqipërisë, por edhe të tjerët, menaxhimi nga ana e Shqipërisë ka qenë po kështu i rrufeshëm, transparent dhe tepër largpamës duke mos bërë asnjë lojë të dyfishtë, por edhe duke ruajtur konfidencialitetin kur duhej.
*2*. Shqipëria ndërsa dënoi menjëherë dhunën dhe vrasjet e tre policëve në Tanushë, kërkoi dialog për zgjidhjen e problemeve të shqiptarëve në Maqedoni.
Shqipëria u shpreh sinqerisht në mbrojtje të integritetit dhe sovranitetit të Maqedonisë dhe kundër çdo ideje për ndarje apo federalizim të saj.
*3*. Pas takimit më 10 Mars në Dibër midis Ministrave të Jashtëm, Z. Milo dhe Z. Kerim, Shqipëria organizon më 11 Mars në Tiranë takimin e parapërgatitur midis dy partive kryesore shqiptare në Maqedoni, asaj të PDSH të Arbën Xhaferit dhe të PPD të Ymer Ymerit.
Po kështu, deklarata e përbashkët që ata nënshkruan në Tiranë ishte udhërrëfyesi i gjithë sjelljes politike të faktorit shqiptar deri në nënshkrimin e Marrëveshjes së Ohrit më 13 gusht 2001.
*4*. Menjëherë sapo publikisht u identifikua lideri i UÇK-së, i cili ishte Ali Ahmeti u vendosën kontaktet, si dhe u organizua në Tiranë, në fshehtësi të plotë, takimi midis tij dhe Kryetarit të Partisë Demokratike, Arbën Xhaferit.
Krejt ndryshe nga shqetësimet tona, që në momentet e para midis tyre pati një pajtueshmëri mbresëlënëse, e cila vazhdoi të forcohej deri në Marrëveshjen e Ohrit.
Ata të dy e kuptuan domosdoshmërinë e njëri-tjetrit dhe i interpretuan shumë mirë rolet e tyre historike.
*5*. Duke qenë se për shpërthimin e konfliktit në Maqedoni “shigjetat” drejtoheshin kundër Qeverisë shqiptare, unë i dërgova një letër Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Lordit Robertson, ku e ftoja që NATO të monitoronte kufirin midis Shqipërisë dhe Maqedonisë për të rrëzuar çdo alibi se ishte Shqipëria pas nxitjes së konfliktit të armatosur.
Po kështu, menjëherë siguruam Qeverinë e Greqisë se ne jo vetëm nuk e nxisnim dhunën, por do të bënim çdo përpjekje që interesat ekonomike greke në Maqedoni të mos targetoheshin nga kryengritësit.
Po kështu, një letër publike e Ali Ahmetit për ministrin e Jashtëm, Papandreu qetësoi palën greke.
Në fund të prillit 2001, unë u takova për herë të parë me Kryeministrin Xhinxhiç të Serbisë në Athinë dhe e sigurova edhe atë për angazhimin paqësor të Shqipërisë në Maqedoni, por edhe në Luginën e Preshevës.
*6*. Gjithë kohën ne ruajtëm dialogun dhe bashkëpunimin me udhëheqësit e Maqedonisë duke i siguruar për mbështetjen tonë të plotë për garantimin e integritetit të Maqedonisë.
Dallimi ynë kryesor ishte se ata fajin e gjenin te Kosova si “burim terrorizmi” dhe jo te akumulimi prej një dekade i pakënaqësive të shqiptarëve ndaj trajtimit të tyre si qytetarë të dorës së dytë në vendin e tyr, që as donin ta ndanin dhe as federalizonin.
Pavarësisht nga deklaratat publike u bashkëpunua në çdo drejtim, përfshirë edhe atë të shërbimeve sekrete, për të parandaluar maksimalisht dëmet njerëzore apo materiale derisa të gjendej një zgjidhje politike.
*7*. Bashkëpunimi me SHBA ishte shumë efikas dhe vizitat e ambasadorit Frowik në Tiranë ishin shumë të dobishme për të konfiguruar rrugën e zgjidhjes.
Po kështu edhe vizitat në Tiranë të Z. Swigert dhe përfaqësuesve të tjerë të Departamentit të Shtetit.
Edhe takimi im me Presidentin Bush në Shtëpinë e Bardhë u bë për shkak të konfliktit në Maqedoni dhe ishte tejet vlerësues për rolin konstruktiv të Shqipërisë.
Ky takim u bë edhe për shkak të takimit të Presidentit Bush me Presidentin Trajkovski, i cili u thirr me nxitim për të arritur një marrëveshje sa më parë, që në 2 maj 2001.
Megjithatë takimi Xhaferi – Ahmeti në Tiranë mbeti i fshehtë për një kohë të gjatë. Përse?
Meta: Besoj se disa nga arsyet i ka zbuluar Z. Koço Danaj në librin e tij “Kryengritja e papërfunduar”, që unë sot do ta quaja Marrëveshja e Papërfunduar.
Si mund të bëhej publik në Mars 2001 fakti se Kreu i UÇK-së, Ali Ahmeti dhe Kryetari i PDSH, Arbën Xhaferi ishin takuar në praninë e Kryeministrit të Shqipërisë, Ilir Meta?
Mos harroni se edhe në Qershor 2001, Zv/Ndihmës Sekretari i Shtetit, Swigert publikisht deklaronte se nuk do të kishte negociata me kryengritësit.
Po kështu, sakrifikimin që iu bë Ambasadorit Frowik në mënyrë të padrejtë përse foli publikisht për të ndihmuar në lehtësimin e dialogut midis partive shqiptare të Maqedonisë, me kreun e UÇK-së, Ali Ahmetin.
Ndërkohë që ambasadori i NATO-s ishte takuar që në 16 Maj në Prizren me Ali Ahmetin.
E rëndësishme është që Qeveria e Shqipërisë kishte vetëm një qëndrim si me Ali Ahmetin apo Arbën Xhaferin dhe Ymer Ymerin, po ashtu edhe me SHBA, NATO-n dhe partnerët e tjerë konstruktivë.
Të mos harrojmë se kishte atëherë edhe një frustrim të disa partnerëve europianë dhe ndërkombëtarë për bombardimin e Serbisë dhe çlirimin e Kosovës, që shihej prej tyre edhe si burimi i destabilizimit të Maqedonisë apo Luginës së Preshevës.
Nuk do ta harroj kurrë një takim shumë miqësor me ish-Kryeministrin spanjoll, Aznar, në vitin 2010 në Fondacionin e tij “Faes” në Madrid.
Aznarin e kisha shoqëruar në Shqipëri duke vizituar trupat spanjolle në Rrushkull gjatë krizës së Kosovës në 1999. Po kështu, ai më kishte pritur me shumë dashamirësi në fillim të Marsit 2001, në zyrën e tij në Pallatin Moncloa kur kishte shpërthyer konflikti në Maqedoni.
Dhe Aznari kur folëm për Kosovën, e cila ishte shpallur e pavarur, në 2010 më tha me shumë çiltërsi se jo vetëm nuk mund ta mbështeste njohjen e Pavarësisë së Kosovës, por edhe se vendimi i tij për të mbështetur ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë ishte vetëm për arsyet humanitare.
“Po ta dija”, – më tha Aznar, “se kjo ndërhyrje një ditë do çonte drejt Pavarësisë, nuk do ta përfshija Spanjën”.
Ky reagim i tij i sinqertë më shokoi pasi dihet se Aznar ishte ndër potlikanët më mbështetës të NATO-s dhe të partneritetit me SHBA në politikën spanjolle.
A mendoni se pa kryengritjen e UÇK-së do ishte realizuar Marrëveshja e Ohrit?
Meta: Edhe me kryengritjen e UÇK, Marrëveshja e Ohrit u realizua me shumë vështirësi.
Ishin me mijëra shqiptarët e Maqedonisë, si Ali Ahmeti, që përndiqeshin ende me ligjet e ish-Jugosllavisë së Titos dhe që nuk mund të ktheheshin në vendin e tyre.
Në kohën e Jugosllavisë, shqiptarët e Maqedonisë “ngushëlloheshin” me disa të drejta që gëzonte Kosova dhe e shikonin Prishtinën si qendrën e tyre.
Por me Pavarësinë e Maqedonisë në vitin 1991 u ndjenë si jetimë në vend që të ndiheshin më të çliruar nga shtypja dhe diskriminimi.
Po kështu, disa mijëra shqiptarë të Maqedonisë që luftuan me armë në dorë për çlirimin e Kosovës dhe shumë prej tyre si Komandant “Kumanova” (Ismet Jashari) dhanë jetën e tyre.
Ndaj amnistimi dhe riintegrimi i tyre ishte i pashmangshëm dhe një domosdoshmëri historike, që e ndihmoi vetë Maqedoninë të bëhej jo vetëm më demokratike, por edhe plotësisht euro-atlantike duke u anëtarësuar në NATO më vonë.
Dy janë elementët kyç që kanë determinuar rolin e tyre konstruktiv në Maqedoni dhe për Maqedoninë.
Së pari, kurrë nuk kanë vendosur në pikëpyetje integritetin e Maqedonisë, madje edhe në pranverën e 2001.
Së dyti, faktori shqiptar ka qenë përherë garanci për rrugën europiane dhe euro-atlantike të Maqedonisë.
Ndërsa për Shqipërinë mund të htme se ka qenë mbështetësja më e vendosur e Pavarësisë së Maqedonisë, që në 1991 dhe në vijim, në raport me të gjithë fqinjët e tjerë.
Pesha historike e Marrëveshjes së Ohrit qëndron jo thjesht te ndalimi i konfliktit të armatosur që shpërtheu në pranverën e vitit 2001, por në realizimin e një marrëveshje themelore për vetë reformimin e munguar Maqedonisë përmes ndryshimeve kushtetuese që garantuan barazinë e shqiptarëve (dhe jo vetëm) duke i dhënë fund konsiderimit të tyre si qytetarë të dorës së dytë në vendin e tyre.
Sot në këtë 25 vjetor nuk është koha vetëm të përkujtojmë këtë kompromis historik, por edhe ta mbrojmë frymën e tij për të forcuar besimin në institucionet e përbashkëta, duke evituar ri-interpretime apo retorika që mund të cënojnë parimet dhe qëllimet strategjike të kësaj marrëveshjeje, si edhe vetë anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE.Intervistoi Emad Mehmeti






