Në kuadër të shënimit të 18 Gushtit – Ditës së Armatës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, në kazermat në mbarë vendin u zhvilluan ceremoni solemne dhe aktivitete të ndryshme.
Një nga momentet kryesore të ceremonive ishte avancimi i pjesëtarëve të Armatës në grada më të larta. Në mesin e tyre janë edhe dy nënoficerë shqiptarë, Shpend Suma dhe Mirsad Memeti, të cilët u avancuan në gradën nënoficer i klasës së parë.
Avancimi i tyre shënon një tjetër hap në karrierën ushtarake dhe pasqyron kontributin e pjesëtarëve shqiptarë në strukturat e Armatës.
Gjatë ceremonive u lexuan urdhrat për avancimet, ndërsa pjesëtarëve dhe organizatave që kanë dhënë kontribut në zhvillimin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Armatës iu ndanë mirënjohje, pllaka, distinktivë dhe masa të tjera stimuluese.
Në kuadër të shënimit të festës, ministri i Mbrojtjes Vllado Misajllovski dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjenerali Sashko Lafçiski, së bashku me përfaqësues të familjeve të mbrojtësve të rënë, vendosën lule para monumentit kushtuar mbrojtësve të vitit 2001.
Ceremonitë vazhduan edhe në disa lokacione përkujtimore, ku delegacione të institucioneve shtetërore vendosën kurora dhe lule në nderim të figurave dhe pjesëtarëve të rënë.
Për Shpend Sumën dhe Mirsad Memetin, avancimi në gradën nënoficer i klasës së parë përbën një tjetër hap në rrugëtimin e tyre profesional në Armatën e Maqedonisë së Veriut.






