Alarm te blegtorët: Mijëra dele janë asgjësuar, kërkohet vaksinim urgjent

Advertisement

Blegtorët në vend po kërkojnë masa urgjente për frenimin e përhapjes së lisë së dhenve, pasi sipas tyre deri tani janë asgjësuar nga 7.000 deri në 10.000 dele dhe janë prekur rreth 40 deri në 50 tufa.

Ata kërkojnë që vaksinimi i deleve të nisë sa më shpejt, ndërsa kërkojnë edhe rishikimin e kompensimit për kafshët e asgjësuara, i cili aktualisht është 100 denarë për kilogram.

Kryetari i Lidhjes së Blegtorëve, Naser Xhemaili, deklaroi për MTV2 se ministri i Bujqësisë i ka informuar se janë siguruar vaksina përmes Ambasadës së Turqisë.

“Sot në mëngjes na u paraqit ministri dhe na njoftoi se janë dakorduar vaksina përmes Ambasadës së Turqisë. Presim që ato të mbërrijnë sa më shpejt, në mënyrë që të shpëtojmë tufat”, deklaroi Xhemaili.

Sipas tij, në Maqedoninë e Veriut aktualisht ka rreth 250.000 deri në 300.000 dele, ndërsa sëmundja tashmë është përhapur në disa rajone të vendit.

Blegtorët gjithashtu kërkojnë që të rishqyrtohet vendimi për mosvaksinimin e deleve për shkak të kufizimeve që mund të paraqiten në eksport.

Ndërkohë, nga Ministria e Bujqësisë bëjnë të ditur se janë siguruar 500 mijë vaksina nga Turqia, ndërsa kanë apeluar te blegtorët që të mos kryejnë vaksinimin vetë, pa udhëzimin dhe mbikëqyrjen e autoriteteve veterinare.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit