IKShP Kosovë: 63 raste me fruth në Kosovë, infektimet sipas komunave

Advertisement

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka njoftuar se nga 16 prilli deri më 13 korrik 2026 janë konfirmuar gjithsej 63 raste me fruth në vend, ndërsa vetëm gjatë javës së fundit janë regjistruar 11 raste të reja.

Sipas të dhënave të IKShPK-së, numri më i madh i rasteve është raportuar në Prishtinë me 19 raste, e pasuar nga Ferizaj me 12, Fushë Kosova me 9 dhe Kaçaniku me 8 raste.

Ndërkaq, Lipjani ka regjistruar 3 raste, ndërsa Vushtrria, Shtimja dhe Obiliqi nga 2 raste secila. Nga një rast është konfirmuar në Gjilan, Drenas, Deçan, Skenderaj, Shtërpcë dhe Viti.

IKShPK u ka bërë thirrje qytetarëve që çdo person me simptoma të dyshimta të fruthit, si temperaturë e lartë, skuqje në lëkurë, kollë, rrufë ose konjuktivit, të paraqitet sa më shpejt në institucionet shëndetësore.

Instituti thekson se, për shkak të infektueshmërisë së lartë të fruthit dhe rrezikut të përhapjes në komunitet, prindërit dhe kujdestarët duhet të verifikojnë statusin e vaksinimit të fëmijëve dhe të sigurojnë imunizimin sipas Kalendarit të rregullt të vaksinimit në qendrat e mjekësisë familjare.

Sipas IKShPK-së, vaksinimi mbetet masa më efektive dhe më e sigurt për parandalimin e fruthit, mbrojtjen e personave të pavaksinuar dhe ruajtjen e shëndetit publik.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit