Strugë, 11 nëntor 2026 – Zëvendësministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Albrim Hoxha, mori pjesë dhe mbajti fjalim përshëndetës në tryezën rajonale të ekspertëve “Menaxhimi i integruar i pyjeve në Ballkanin Perëndimor: Mësimet e nxjerra, sfidat dhe drejtimet për të ardhmen”, e organizuar në Strugë nga CNVP dhe ICEP, me mbështetjen financiare të Agjencisë Austriake për Zhvillim (ADA).
Aktiviteti mblodhi përfaqësues të institucioneve nga Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Kosova dhe Mali i Zi, ekspertë të pylltarisë, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare, institucioneve shkencore dhe komuniteteve lokale, për të diskutuar sfidat e përbashkëta në menaxhimin e pyjeve dhe mundësitë për thellimin e bashkëpunimit rajonal.
Në fjalën e tij, zëvendësministri Hoxha theksoi rëndësinë e qasjes së përbashkët në mbrojtjen e ekosistemeve pyjore, veçanërisht në rajone ndërkufitare si pellgu i lumit Drin.
“Nuk është rastësi që për këtë diskutim jemi mbledhur pikërisht në Strugë, aty ku Drini i Zi nis rrugëtimin e tij nga Liqeni i Ohrit. Drini na kujton se natyra nuk njeh kufij. Pyjet, ujërat dhe ekosistemet tona janë të ndërlidhura, prandaj edhe përgjegjësia për mbrojtjen e tyre duhet të jetë e përbashkët”, theksoi Hoxha.
Duke folur për prioritetet e Ministrisë, ai nënvizoi angazhimin për modernizimin e sektorit të pylltarisë, digjitalizimin dhe përmirësimin e sistemeve të monitorimit, avancimin e kuadrit ligjor në përputhje me standardet evropiane dhe forcimin e masave për parandalimin e zjarreve pyjore.
Në këtë drejtim, Ministria po punon edhe për përgatitjen e vizionit strategjik për zhvillimin e sektorit pyjor për dy dekadat e ardhshme, me synim përmirësimin e administrimit të burimeve pyjore, mbrojtjen e biodiversitetit dhe rritjen e aftësisë për t’u përballur me pasojat e ndryshimeve klimatike.
Një pjesë e rëndësishme e aktivitetit iu kushtua rezultateve dhe përvojave të projektit katërvjeçar “Menaxhimi i integruar i pyjeve përgjatë pellgut të lumit Drin”, i zbatuar nga CNVP në Maqedoninë e Veriut, Shqipëri, Kosovë dhe Mal të Zi, në partneritet me ICEP dhe me mbështetjen e Agjencisë Austriake për Zhvillim.








