Sot janë transferuar mbi 2 miliardë denarë subvencione për 15.144 duhanprodhues, si mbështetje për prodhimin dhe shitjen e duhanit nga rekolta e vitit 2025.
Zëvendësministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Albrim Hoxha, vlerësoi se bëhet fjalë për pagesën më të madhe të realizuar ndonjëherë për duhanin, duke theksuar rëndësinë që kjo kulturë bujqësore ka për mijëra familje në vend.
“Pas çdo kilogrami duhan qëndron shumë punë, sakrificë dhe përkushtim. Prandaj më gëzon që ky lajm po arrin sot te mijëra familje dhe se mundi i tyre po merr vlerësimin e merituar”, deklaroi Hoxha.
Ai theksoi se duhani mbetet një nga kulturat më të rëndësishme bujqësore në vend, me rol të rëndësishëm në ekonominë vendore dhe në të ardhurat e një numri të madh të familjeve rurale.
Pagesa e sotme paraqet një mbështetje të drejtpërdrejtë për duhanprodhuesit dhe një sinjal të qartë për vazhdimin e përkushtimit institucional ndaj sektorit të bujqësisë.





