Hoxha i Llacës sqaron rastin e flamurit në ceremoninë e varrimit

Advertisement

Një banor i fshatit Llacë të Tetovës ka deklaruar se hoxhallarët e fshatit nuk kanë pranuar që nëna e tij të varrosej me flamurin kuq e zi. Sipas tij, për shkak të këtij qëndrimi, ai e ka varrosur nënën me flamur kombëtar dhe pa praninë e hoxhallarëve.

Për rastin është deklaruar hoxha i fshatit, Bajram Xhezairi, i cili ka konfirmuar se ka pasur një situatë të tillë, por ka dhënë sqarimet e tij lidhur me përdorimin e flamujve gjatë ceremonive mortore.

Xhezairi tha se, siç e cilësoi veten, është një hoxhë parimor dhe se gjatë ceremonive të varrimit nuk përdor asnjë lloj flamuri apo simboli.

“Është e vërtetë se dje ndodhi një ngjarje e pakëndshme për ne, por ajo është nxjerrë jashtë kontekstit real të asaj që ka ndodhur. Në përgjithësi, unë jam si hoxhë parimor që në ceremonitë mortore, gjatë vdekjes, kur falim namazin dhe përcjellim xhenazen, nuk përdor asnjë lloj flamuri”, ka deklaruar Xhezairi.

Ai ka sqaruar se ky qëndrim vlen si për flamurin e gjelbër me simbole fetare, ashtu edhe për çdo flamur tjetër.

“Shkaku kryesor janë parimet fetare, të cilat mundohemi në maksimum t’i respektojmë. Shkak tjetër është se në fshatin tonë, edhe pse në përqindje shumë të vogël, jetojnë komunitete të ndryshme. Për t’iu shmangur problemeve që mund të shfaqen në të ardhmen, kam marrë vendim që si hoxhë të mos përdor asnjë simbol fetar dhe për këtë janë dëshmitarë shumica e banorëve të fshatit”, tha ai.

Xhezairi theksoi se moslejimi i përdorimit të flamujve nuk lidhet me ndonjë flamur të veçantë, por me parimin që ai ka vendosur të ndjekë gjatë ceremonive mortore.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit