Zëvendësministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave i Maqedonisë së Veriut, Albrim Hoxha, ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit rajonal për zhvillimin e bujqësisë, rritjen e kapaciteteve prodhuese dhe tërheqjen e investimeve të huaja.
Në një deklaratë për KosovaPress, në kuadër të Samitit të Ballkanit, Hoxha vlerësoi se vendet e rajonit përballen me sfida të ngjashme në sektorin bujqësor, por njëkohësisht kanë potencial të konsiderueshëm për zhvillim dhe bashkëpunim ekonomik.
“Vendet e rajonit tonë përballen me sfida të ngjashme në bujqësi dhe në sektorin agro-ushqimor, por kanë edhe potencial të madh për zhvillim. Prandaj, organizimi i samiteve dhe nismave të përbashkëta është shumë i rëndësishëm, sepse na jep mundësinë t’i promovojmë kapacitetet tona prodhuese, të prezantojmë potencialin ekonomik të rajonit dhe të tërheqim investitorë të huaj. Bashkëpunimi rajonal mund të krijojë mundësi të reja për investime dhe zhvillim të qëndrueshëm të këtij sektori”, deklaroi Hoxha.
Ai theksoi se bujqësia duhet të trajtohet si një sektor strategjik i ekonomisë, me ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin ekonomik, krijimin e vendeve të punës dhe përmirësimin e standardit jetësor.
“Bujqësia është një nga sektorët strategjikë për zhvillimin ekonomik të çdo vendi. Për këtë arsye, duhet të investojmë në rritjen e kapaciteteve prodhuese, modernizimin dhe promovimin e këtij sektori. Sot, bujqësia nuk duhet parë vetëm si një veprimtari që siguron jetesën e një familjeje, por edhe si një aktivitet ekonomik me potencial të konsiderueshëm për zhvillimin e bizneseve fitimprurëse. Një sektor bujqësor më i zhvilluar nënkupton ekonomi më të fortë dhe mundësi më të mira për qytetarët”, u shpreh ai.
Duke folur për bashkëpunimin ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, Hoxha përmendi edhe takimin e fundit zyrtar në Shkup me delegacionin e Kosovës, të kryesuar nga ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja.
“Bashkëpunimi ndërmjet institucioneve tona tashmë ekziston dhe synimi ynë është ta thellojmë më tej. Para dy javësh, në Shkup pritëm delegacionin e Kosovës, të kryesuar nga ministri Armend Muja, ku një nga temat kryesore ishte pikërisht siguria ushqimore. Diskutuam për forcimin e koordinimit ndërinstitucional, shkëmbimin e informacioneve dhe bashkëpunimin ndërmjet autoriteteve përgjegjëse, me qëllim garantimin e sigurisë dhe cilësisë së produkteve ushqimore që arrijnë te konsumatorët tanë”, theksoi Hoxha.
Ai vlerësoi se forcimi i bashkëpunimit rajonal, përmirësimi i standardeve dhe koordinimi ndërmjet institucioneve janë të rëndësishëm për zhvillimin e sektorit agro-ushqimor dhe afrimin e vendeve të rajonit me standardet e Bashkimit Evropian.








