13.8 C
Skopje
Wednesday, April 24, 2024

Hezbollahu: Kemi sulmuar me raketa forcat izraelite

Grupi militant në Liban, Hezbollah, tha se luftëtarët e tij kanë gjuajtur raketa kundërtanke drejt forcave izraelite përgjatë kufirit mes dy shteteve. Hezbollahu tha se luftëtarët e tij kanë arritur të godasin direkt forcat izraelite që ishin fshehur përgjatë kufirit. Hezbollahu dhe forcat izraelite kanë këmbyer zjarr përgjatë kufirit në baza ditore që nga sulmi i 7 tetorit i grupit militant Hamas në jug të Izraelit. Kjo ka rritur shqetësimet se konflikti Izrael-Hamas mund të zgjerohet.

Hezbollahu si dhe Hamasi mbështeten nga Irani. Presidenti iranian, Ebrahim Raisi, ditë më parë deklaroi se bombardimet e vazhdueshme të Izraelit në Rripin e Gazës “mund të detyrojë të gjithë” të veprojnë. Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar të gjithë aktorët në rajon që të mos mundohen të shfrytëzojnë situatën dhe të zgjerojnë konfliktin në Lindjen e Mesme. Izraeli është zotuar se do të shtypë grupin militant Hamas dhe po vazhdon sulmet e saj tokësore dhe ajrore në Rripin e Gazës. Në këtë territor, që jetojnë 2.3 milionë palestinezë, si pasojë e dhunës deri më tani janë vrarë mbi 8.300 banorë. Në Izrael, ndërkaq militantët e Hamasit kanë vrarë mbi 1.400 persona.

Forcat tokësore izraelite kanë sulmuar militantët e Hamasit dhe infrastrukturën në veri të Gazës, përderisa sulmet ajrore po vazhdojnë në mbarë territorin e rrethuar. Sipas ushtrisë, afër 800.000 banorë janë larguar nga veriu i Gazës që kur nisi lufta tre javë më parë.

I nxitur nga shpëtimi i parë i një pengu që mbahej nga Hamasi, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, sërish ka hedhur poshtë thirrje për armëpushim dhe është zotuar se do të shtypë aftësinë e grupit militant për të qeverisur me Gazën dhe për të kërcënuar Izraelin, pasi Hamasi nisi sulme të përgjakshme ndaj Izraelit më 7 tetor, që nxitën luftën.

Hamasi ka liruar katër pengje dhe ka thënë se do të lirojë të tjerët në këmbim të mijëra të burgosurve palestinezë që mbahen nga Izraeli. Por, Izraeli ka refuzuar këtë ofertë.

Mbi gjysma e popullsisë prej 2.3 milionë palestinezësh e Rripit të Gazës janë larguar nga shtëpitë e tyre dhe qindra mijëra janë strehuar në shkollat e udhëhequra nga Kombet e Bashkuara apo në spitale, ku janë edhe mijëra të plagosur. Sulmet izraelite kanë goditur afër disa spitaleve në veri gjatë ditëve të fundit, duke alarmuar punëtorët shëndetësorë.

Agjencia e OKB-së për refugjatët palestinezë, e njohur si UNRWA, tha se pothuajse 672.000 palestinezë janë duke u strehuar në shkollat e saj dhe ndërtesa të tjera. Mijëra persona po ashtu gjatë fundjavës hynë me forcë në depo dhe morën ushqime dhe produkte bazike. Kreu i UNRWA, Philippe Lazzarini, akuzoi Izraelin për “ndëshkim kolektiv” të palestinezëve dhe se po i detyron që të zhvendosen nga veriu për në jug të Gazës, ku ata po ashtu nuk janë të sigurt. /Alsat.mk

Lajme të ngjajshme

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

EVN

Lajmet e fundit