Në një kohë kur Bujanoci po zbrazet nga migrimi dhe investimet publike mungojnë, artisti i njohur kthen buzëqeshjen në fshat përmes artit dhe vullnetarizmit.
Shkruan: Muhamer Pajaziti
TËRNOC (BUJANOC) – Kur institucionet harrojnë dhe pluhuri i harresës mbulon një rajon të tërë, shpresa shpesh lind nga duart e njerëzve të thjeshtë. Ky është rasti i fshatit Tërnoc në Bujanoc, ku skulptori i mirënjohur Nagip Tashi (Gipo) po bën atë që shteti dhe pushteti lokal dështuan ta bëjnë për vite me radhë: po u kthen fëmijëve fëmijërinë dhe vendit shpresën.

Ditët e fundit, falë punës vullnetare të Nagipit dhe disa miqve të tij, parkut të fshatit do ti shtohet edhe një xhevahir i ri: një amfiteatër i mrekullueshëm prej druri për fëmijë. Punimet vetëm se kanë filluar dhe së shpejti ky amfiteatër i hapur do të merr formë.

“Sot 25 vjetë pas rënjes heroike të kom.Lleshit po vendoset gurthemeli i amfiteatrit për fëmijë.
Për mua është krenari që po e vazhdoj amanetin e dëshmorve duke i kontribuar edukimit dhe emancipimit të gjeneratave të reja me realizimin e parkut për fëmijë dhe ngritjes së një tempulli të dijës në këto hapësira, amfiteatrit për fëmijë, gjë që edhe Ridvan Qazimi ia pat kushtu një jetë të tërë skenës teatrore.
Lavdi kom. Lleshit, lavdi dëshmorve!”, është shprehur Nagipi.
Një hapësirë përrallore ku tashmë kanë filluar orët e para të mësimit, aktrimit dhe takimeve kulturore në natyrë.
Nga një vend mbeturinash, në një oazë arti
Ajo që sot duket si një oazë përrallore buzë lumit, dikur ishte thjesht një hapësirë e lënë pas dore dhe e mbuluar nga mbeturinat.
Ideja e Nagipit fillimisht u prit me skepticizëm. Shumë mendonin se ishte një “mision i pamundur” në një vend ku rinia po ikën drejt Evropës.
Megjithatë, Gipo nuk u dorëzua. Me duart e tij ai bëri:
Pastrimin dhe rrafshimin e plotë të tokës.
Mbjelljen e barit, pemëve dhe rregullimin e stazave të ecjes.
Krijimin e fushës së sportit.
Gdhendjen dhe ndërtimin unik të lodrave të drurit.
Ky vullnet prej çeliku preku zemrat e mërgimtarëve dhe disa biznesmenëve lokalë, të cilët më pas ofruan ndihmë financiare për të blerë materialet e nevojshme.
“Këta fëmijë janë fryma e katundit!”
Në njërën nga lodrat e parkut qëndron i gdhendur një citat prekës: “Dua të kthehem fëmijë sepse gjunjët dhëmbin më pak se një zemër e thyer”.
Ky park është bërë pika ku bashkohen dy breza: fëmijët që luajnë basketboll e ngjyrosin lodrat, dhe pensionistët që gjejnë një vend të qetë për të biseduar e larguar vetminë.
I pyetur për zërat skeptikë që i thonë se “nuk ka mbetur kush për t’i shfrytëzuar këto lodra”, Nagipi përgjigjet me mllef e dashuri prindërore:”Qysh po ia zen goja bre këto fjalë, po çuditna! A bash ‘kurrxho’ po iu dokën këta fëmijë juve a? Këta për mua janë gjallëria, fryma, e zemra e katundit, pa këta s’ka jetë.”Një leksion se si duhet atdheu
Nagip Tashi nuk është politikan dhe as biznesmen me miliona. Ai është thjesht një artist me zemër të madhe dhe një vullnetar që po tregon me vepra se si ndryshohet komuniteti pa pritur asgjë nga askush.
Amfiteatri i ri është dëshmia e radhës se kur bashkohet arti, vullneti dhe dashuria për vendlindjen, mrekullitë janë të mundshme.
Tërnoci sot nuk hesht më; aty ka rinisur zhurma e bukur e fëmijëve. (INA)





