Haxhiu: Fëmijët kanë nevojë për 365 ditë vëmendje, mbrojtje por po ashtu edhe për kujdes

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka marrë pjesë sot në Konferencën e Nëntë të Shëndetit, Mirëqenies, Edukimit dhe të Drejtave të Fëmijëve.

Sipas saj, pavarësisht përparimeve, pavarësisht përmirësimeve, arritjeve që kemi pasur gjatë kësaj periudhe kohore, fëmijët ende përballen me shumë sfida.

 

“Prandaj, të drejtat e fëmijëve janë një nga fushat, ku dallimi ndërmjet asaj që shkruhet dhe asaj që zbatohet shihet shumë shpejt. Fëmijët nuk kërkojnë gjëra të pamundura. Ata kërkojnë të ndihen të sigurt. Të mos përbuzen. Të mos përjashtohen. Të mos stigmatizohen për varfërinë e familjes. Të mos mbeten pa ndihmë kur kanë vështirësi në të folur, në sjellje, në mësimnxënie apo në shëndet mendor. Të mos u thuhet “hajt se kalon” për diçka që kërkon kujdes profesional”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu.

Ajo tutje ka thënë se një nga gabimet tona më të mëdha si shoqëri është se ndonjëherë presim që fëmija ta tejkalojë vetë atë, që as të rriturit nuk do të mund ta kalonin.

“Presim që të jetë i fortë, i qetë, i dëgjueshëm, i suksesshëm, pra presim që të përshtatet. Por, fëmija ka të drejtë edhe të ketë frikë. Ka të drejtë të jetë i hutuar. Ka të drejtë të mos dijë si ta shpjegojë atë që ndien përbrenda. Dhe mbi të gjitha, ka të drejtë të marrë ndihmë me kohë. Këtu fillon përgjegjësia jonë. Te aftësia për ta dëgjuar fëmijën para se të na flasë me krizë. Te aftësia për ta mbështetur prindin pa e gjykuar. Te aftësia për t’i dhënë mësuesit mjete, për t’i kthyer ligjet në shërbime dhe shërbimet në qasje të barabartë për secilin fëmijë”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit