Haxhiu: EtnoFest-i është lidhur aq fort me Kukajn, sa vështirë të mendohet diku tjetër

Advertisement

Haxhiu: EtnoFest-i është lidhur aq fort me Kukajn, sa vështirë të mendohet diku tjetër

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, mori pjesë në hapjen e edicionit të 16-të të Festivalit të Arteve dhe Kulturës Tradicionale EtnoFest, i cili mbahet në fshatin Kukaj.

Në fjalën e saj para të pranishmëve, U.D. Presidentja Haxhiu, tha se në veprën e tij me kujtime, At Zef Pllumi na e përcolli porosinë që kishte marrë nga At Marin Sirdani: “Rrno vetëm për me tregue”, duke shtuar më tej se kjo porosi na bënë të kuptojmë se ajo që nuk tregohet rrezikon të humbasë.

Sipas saj, kur një njeri e ndan me të tjerët atë që ka parë e mësuar, përvoja e tij vazhdon të jetojë në kujtesën e tyre.

“EtnoFest-i e vazhdoi këtë porosi në mënyrën e vet. Prej vitesh, në fshatin Kukaj janë hapur sërish shtëpitë dhe janë mbledhur njerëz në oborre duke ua përcjell të rinjve këngët, tregimet e zanatet që kanë kaluar prej një brezi te tjetri”, u shpreh U.D. Presidentja Haxhiu.

Ajo tha se kjo pamje sot mund të na duket krejt e natyrshme, megjithatë sipas saj, vite më parë, kur Kukaj po zbrazej dhe shumë prej shtëpive po liheshin pas dore, vështirë se mund të parashikohej që këtu do të mblidheshin artistë e publik nga Kosova dhe më gjerë.

“Fadil dhe Sheqerija e rregulluan një ahur të vjetër prej guri dhe e kthyen në teatër. Në oborr vendosën ulëset, ku u dhanë edhe shfaqjet e para. Nga ai oborr i parë, festivali u shtri pak e nga pak në fshatin Kukaj. Kështu lindi EtnoFest-i, festival i përvitshëm ku njerëzit kthehen çdo verë”, theksoi U.D. Presidentja Haxhiu.

Ajo tutje tha se tema e sivjetme, “Kujtesa”, është vazhdim i natyrshëm i kësaj pune.

“Këtu vijnë artistë që dëgjojnë këngët dhe rrëfimet e banorëve, shohin si punojnë mjeshtrit dhe krijojnë prej tyre vepra të reja. Banorët ua hapin shtëpitë dhe i bëjnë pjesë të vendit, ndaj festivali ka marrë prej tyre karakterin që e dallon. EtnoFest-i është lidhur aq fort me Kukajn, sa vështirë të mendohet diku tjetër. Shfaqjet marrin formë sipas shtëpive dhe oborreve ku luhen, ndërsa banorët e mbajnë festivalin të lidhur me jetën e fshatit”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu.

Për këtë arsye, ajo tha se falënderimi iu takon Fadil Hysajt dhe Sheqerije Buqajt dhe secilit që ka punuar me të ndër vite, i takon ekipit që përgatit programin, artistëve që ia përshtatin punën e tyre fshatit dhe banorëve që i presin vizitorët.

Sipas saj, pas çdo mbrëmjeje që publiku e përjeton me lehtësi, qëndron një punë e gjatë, e cila shpesh fillon shumë muaj më parë.

“Natyrisht që, mbështetja e institucioneve do të vazhdojë edhe më shumë. Festivali ka dëshmuar çfarë mund të bëjë për Kukajn dhe për jetën kulturore të vendit, andaj mbështetja institucionale është shumë e rëndësishme që të rritet. Detyra jonë është të kujdesemi që organizatorët, banorët dhe artistët ta kenë më të lehtë që ta zhvillojnë edhe më tej festivalin”, ka pohuar U.D. Presidentja Haxhiu.

U.D. Presidentja Haxhiu tha se pas disa ditësh, skenat do të hiqen dhe publiku do të largohet, banorët do t’u kthehen punëve të tyre, ndërsa ekipi do të nisë të mendojë për edicionin tjetër.

Në fund, U.D. Presidentja Haxhiu ka uruar që EtnoFest-i ta ketë edhe sivjet publikun që meriton dhe që, verën tjetër, të na mbledhë përsëri këtu, në Kukaj.
9

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit