Deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj, ka reaguar lidhur me marrëveshjen për furnizimin e Maqedonisë së Veriut me qymyr nga Kosova.
Haradinaj ka deklaruar se për këtë çështje kishte paralajmëruar edhe më herët, duke ngritur pikëpyetje rreth marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.
Sipas tij, është e paarsyeshme që Kosova të importojë energji elektrike me vlera të larta dhe në të njëjtën kohë të eksportojë qymyr drejt një shteti nga i cili, sipas tij, importon energji.
“Ne blejmë rrymë mbi 1 miliard euro dhe i shesim qymyr njërit nga shtetet prej të cilit blejmë rrymë”, ka deklaruar Haradinaj.
Ai ka kërkuar nga Korporata Energjetike e Kosovës që të bëjë publike kontratën për shitjen e qymyrit, përfshirë vlerën e marrëveshjes.
Haradinaj ka kërkuar gjithashtu që të publikohet edhe vlera e energjisë elektrike që Kosova e blen nga Maqedonia e Veriut, duke theksuar nevojën për transparencë lidhur me këto transaksione.






