Gjithsej 42 shtete dhe territore, përfshirë edhe Maqedoninë e Veriut, janë përfshirë nga Greqia në listën e vendeve që konsiderohen se kanë një “regjim tatimor të privilegjuar” për vitin tatimor 2024.
Sipas vendimit të Ministrisë greke të Ekonomisë Kombëtare dhe Financave, bëhet fjalë për shtete ku personat juridikë i nënshtrohen një norme tatimore që është më e ulët se ajo që do të zbatohej në Greqi në rast se do të ishin rezidentë tatimorë ose do të kishin aktivitet të përhershëm biznesi në këtë vend.
Vendimi ministror, i publikuar në Gazetën Zyrtare të Greqisë, përcakton se në këtë kategori përfshihen shtetet ku norma e tatimit mbi fitimin, të ardhurat ose kapitalin është e barabartë ose më e ulët se 60 për qind e normës që do të zbatohej sipas legjislacionit tatimor grek.
Në bazë të këtij kriteri, për vitin tatimor 2024 në listë janë përfshirë gjithsej 42 shtete dhe territore.
Nga vendet evropiane, përveç Maqedonisë së Veriut, në listë janë edhe Shqipëria, Andorra, Bullgaria, Qiproja, Kosova, Bosnjë e Hercegovina, Mali i Zi, Monako, Hungaria, Irlanda, Lihtenshtajni dhe Moldavia.
Vendimi është nënshkruar nga ministri dhe zëvendësministri i Ekonomisë Kombëtare dhe Financave të Greqisë, Kirjakos Pierakakis dhe Dimitris Markopulos, ndërsa për informacionin ka raportuar MIA.






