Skuadra e Granada-s e kaloi me sukses ndeshjen e Kupës së Mbretit teksa mposhti në transfertë skuadrën e Divisionit të Tretë, Arosa me shifrat 0-3. Mirëpo, ky triumf rrezikon të anulohet në tavolinat e komisionit të disiplinës në Spanjë duke qenë se skuadra ku aktivizohet edhe Myrto Uzuni ka bërë një gabim teknik duke aktivizuar portierin Adri Lopez.
Ky i fundit nuk konsiderohet më si një lojtar U23 pasi ka mbushur 24-vjeç dhe rregullat e Kupës së Mbretit nuk e lejojnë diçka të tillë. Një lojtar U23 që bën pjesë në skuadrën B apo të rinjve, në momentin që kalon moshën nuk mund të aktivizohet me ekipin e parë në një kompeticion zyrtar si Kupa e Mbretit.
Pritet që në orët e ardhshme drejtuesit e Arosas të bëjnë një ankesë për këtë shkelje të rregullores së Granadës dhe pritet që skuadra e Uzunit të eliminohet.