Numri i pacientëve që kërkojnë ndihmë mjekësore për simptoma gastrointestinale në Gostivar është në rënie, ndërsa autoritetet shëndetësore vlerësojnë se situata po stabilizohet.
Sipas Spitalit të Përgjithshëm të Gostivarit, gjatë 24 orëve të fundit, 11 pacientë janë paraqitur në repartin e infektologjisë dhe 14 në pediatri me simptoma si dhimbje barku, diarre dhe plogështi. Pas ekzaminimeve, shumica janë dërguar për trajtim në shtëpi, ndërsa vetëm dy pacientë me simptoma më të theksuara janë hospitalizuar.
Drejtori i spitalit, Emri Bajrami, deklaroi për TV21 se këto shifra janë në përputhje me periudhën e vitit dhe nuk tregojnë domosdoshmërisht përhapje të ndonjë virusi apo përkeqësim të situatës.
Ai shtoi se simptomat mund të lidhen edhe me virozat sezonale, duke theksuar se numri i rasteve nuk është më i lartë se në vitet e kaluara.
Megjithëse situata është përmirësuar, në Gostivar mbetet në fuqi gjendja e krizës për shkak të ndotjes së ujit. Institucionet vazhdojnë marrjen e mostrave të ujit çdo ditë dhe konsumimi i tij do të lejohet vetëm pasi analizat të rezultojnë pa prani bakteresh në tre kontrolle të njëpasnjëshme.






